Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Prizren.
Atje, një shtetas turk në orët e hershme të mëngjesit, ka goditur me thikë dy vajzat e tij të mitura.
Njëra prej tyre, 15-vjeçare, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka konfirmuar për Nacionalen zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Rreth orës 06:00 kemi pranuar informatë se një person është me thikë në dorë në rrugën “Shotë Galica”. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes, ku ka parë tre persona të lënduar, dhe njëra nga të lënduarat ka ndërruar jetë”, tha ai.
“Ekipet e mjekëve nuk kanë arritur të ndërhyjnë pasi i dyshuari ka qenë me thikë në dorë. Katër ekipe të Policisë janë nisur dhe kanë vepruar”, tha ai.
Bytyqi bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar, megjithatë i njëjti është i lënduar, pasi e ka dëmtuar edhe veten me thikë.
Po ashtu, ai tha se edhe vajza tjetër 10 vjeçare është në gjendje të rëndë shëndetësore, e cila është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Sipas deklaratës së Bytyqit, të përfshirët në ngjarje janë shtetas turk dhe me banim të përkohshëm në Prizren.
Detajet e tjera ende nuk dihen, dhe Policia e Prokuroria po merren me rastin.
Kryeprokurori i Prizrenit jep detaje për tragjedinë: Vajza tjetër e lënduar, është jashtë rrezikut
Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Petrit Kryeziu, ka dhënë detaje për rastin ku një shtetas turk e mbyti me thikë vajzën e tij.
Ai ka thënë për Klan Kosovën se vajza tjetër, është jashtë rrezikut për jetë.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar nga hetuesit policor që ka ndodhur një rast i vrasjes, ku ka humbur jetën një vajzë rreth 15-vjeçare dhe një tjetër është e plagosur dhe dyshohet se krimi është kryer brenda familjes. Poashtu edhe kryerësi i veprës është i vetlënduar”.
“Vajza tjetër e mitur 10-vjeçare në bazë të informatave është jashtë rrezikut për jetë, gjithashtu edhe kryerësi i veprës penale është jashtë rrezikut për jetë”, është shprehur ai