Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë shpjegimin më të detajuar deri tani për muajt e trazuar që çuan në shkarkimin e Xavi Hernandezit një vit më parë.
Në një intervistë për “Esport3”, ai ka shpalosur kundërthëniet, mesazhet e përziera dhe dilemat që e bindën se ndryshimi në stol ishte i domosdoshëm.
Xavi kishte njoftuar publikisht në janar të vitit 2024 se do të largohej në fund të sezonit, por disa javë më vonë e ndryshoi vendimin. Sipas Laportës, rikthimi i tij erdhi pas një takimi privat në shtëpinë e presidentit.
“Xavi e kishte shpallur vetë se do të largohej në fund të sezonit. Pastaj kërkoi të më takonte në shtëpi për të më thënë se, në të vërtetë, dëshironte të vazhdonte dhe e ndiente të nevojshme këtë”.
Laporta tregon se në atë bisedë i kishte bërë vetëm një pyetje direkte: “E pyeta vetëm një gjë – ‘Xavi, a beson te skuadra?’ Ai u përgjigj: ‘Besoj 100 për qind dhe do t’i bëj këta lojtarë kampionë’”.
Joan Laporta dhe Xavi Hernandez
Megjithatë, sipas presidentit, ajo bindje u zhduk brenda një jave, kur Xavi doli para mediave dhe deklaroi se ekipit do t’i duheshin dy vite për të qenë konkurrues.
“Dy javë më vonë e dëgjova në konferencë duke thënë se ai dhe skuadra do të kishin nevojë për dy vite për të qenë kompetitivë. Mendova: ‘Çfarë po ndodh këtu?’”
Dyshimet u thelluan edhe më shumë kur Xavi bisedoi me drejtorin sportiv Deco për ndryshime të mëdha në skuadër. Laporta pranon se ato biseda e goditën rëndë.
“Ai më pas foli me Decon për mundësinë e ndryshimit të disa lojtarëve të ekipit të parë. Siç e dini, unë kam shumë respekt për Xavin, dhe fjalët e tij më prekën thellë”.
Laporta kujtoi se klubi ka marrë vendime të vështira edhe më herët: “Na është dashur të marrim vendime të rënda me Messin, Alban, Busquetsin, Piquen, madje me Xavin dhe Koeman… por te Barça, institucioni është gjithmonë mbi gjithçka. Është mbi lojtarët, presidentët dhe trajnerët”./







