Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është përplasur ashpër me asambleistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmanin. Shkaku i përplasjes së tyre, është ndërprerë edhe seanca e Kuvendit Komunal.
Rrahmani i është drejtuar disa herë Bulliqit, duke e quajtur tradhtar
“Na jena mësu me ksi tradhtar, se ti ke pri. Je tradhtar ti, taj ky e rend qështu. Ti kurrë s’ndale tradhti këtu”, ka thënë Rrahmani.
Bulliqi në replikën e tij, ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarin e Podujevës, Agim Veliun.
“Ti krejt kohën ke hongër në grazhd të Hashim Thaçit edhe kurrë tradhtar s’të kom thanë, deri tash. Edhe hala je tu hongër. Unë me Hashimin s’kom pas kurgjë, kurrë se kam tradhëtu sa jam kanë aty…Ti s’e di as çka është tradhtari…Deri dje ke ba Agim Veliu, e sot po e shan Agim Veliun. Ti je tradhtar se unë s’po e shaj”, ka thënë Bulliqi.
Asambleisti i LDK’së i është drejtuar sërish Bulliqit, duke e quajtur tradhtar dhe uzurpator.
“Ti je tradhtar, je uzurpator, tonat i ki”, ka thënë Rrahmani.
Më pas ka ndërhyrë Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hilmi Hoxha. Ai tha se gjuha e përdorur nga disa prej asembleistëve është denigruese.
“Gjuha që është duke u përdorur prej disa asambleistëve është gjuhë denigruese”, tha Hoxha.
Bulliqi i kërkoi më pas Hoxhës që ta respektojë rregulloren, derisa Rrahmanin e quajti “pis”.
“Respektoje rregulloren e punës mos të ofendon ky pis”, tha Bulliqi.
Hoxha paralajmëroi përjashtime nga mbledhja.
“Edhe njëherë ofendon dikush, unë kom me largu prej mbledhjes”, tha Hoxha.
Më pas Rrahmani e quajti Bulliqin “legen”.
“Këqyre kujna po i thu ti pis, more legen more”.
Aty ndërhyri sërish Kryesuesi i Kuvendit, ku njoftoi për shtyrjen e seancës.
“Boll bre, Ekrem. Për shkak të kushteve, e ndërprejmë mbledhjen edhe shtyhet seanca për një kohë të pacaktuar. Për probleme të juve, na me pas telashe”, tha Hoxha.
Sipas mediave lokale, seanca është bllokuar për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me asamblesistin Demokrat Hodolli, njëherazi anëtar i Komisionit për Komunitete. Hodolli, i propozuar për këtë pozitë nga LDK-së kur ishte pjesë e grupit të asamblesistëve të kësaj partie, ka dhënë dorëheqje nga grupi i LDK-së disa muaj më parë. LDK ka kërkuar që ai të zëvendësohet me një tjetër përfaqësues të partisë dhe ka propozuar shkarkimin e tij, por propozimi nuk ka marrë mjaftueshëm vota për të kaluar. Si rezultat, seanca është bllokuar dhe diskutimet për pikat e tjera të rendit të ditës janë ndalur.