Kandidati për kryetar të Prizrenit nga PDK-ja, Shaqir Totaj, ka theksuar se ka arritur marrëveshje me qytetarët e këtij qyteti për të shkuar në balotazh më 9 nëntor, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në emisionin “DPT te Fidani”, ai ka theksuar se është i hapur për të biseduar me të gjitha subjektet politike në Prizren për të arritur ndonjë koalicion, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhe Emilija Rexhepit.
“Një marrëveshje e kam arritur dhe ajo është me qytetarët e Prizrenit, me votuesit e territorit të Prizrenit, që ata të më përkrahin mua për shkak të performancës së mirë dhe për shkak të vlerave që i kemi demonstruar dhe për shkak të planit të mirë që e kemi.”
“Në anën tjetër, ne jemi të hapur për të biseduar me të gjitha partitë, përveç me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Zonjën Emilja Rexhepi, sepse ata kanë arritur koalicion mes veti. Me partitë tjera jemi të hapur për të biseduar,” ka thënë Totaj.
Totaj ka pohuar se është në bisedime indirekte me akterë të tjerë politikë në Prizren për ndonjë koalicion të mundshëm, por u shpreh se nuk do të japë më shumë informacione për këtë çështje.
“Detaje më tepër nuk do të jepja, sepse eventualisht dikush mundet të preket dhe na i dëmton bisedimet e mëtejshme. Ka bisedime indirekte, por prej distancës, jemi duke e përgatitur terrenin,” theksoi Totaj.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i PDK-së njëherësh kryetari aktual Shaqir Totaj, i ka marrë 566 vota apo 31.73 për qind nga votat e diasporës. Kurse, kundërkandidati nga VV-ja Artan Abrashi, i ka 594 vota apo 33.30 për qind.
Shaqir Totaj dhe Artan Abrashi, do të garojnë për postin e të parit të Prizrenit në balotazhin e 9 nëntorit.