Vitin e kaluar, Dejona Mihali ishte figurë gati e panjohur dhe goxha enigmatike. Për shkak raportimeve të Nacionales dhe posaçërisht deklaratës publike të deputetit të “revoltuar”, Haki Abazi, Mihali është bërë tashmë e njohur.
E me “reflektorët” e medies mbi kokë, ajo ka nisur të jetë më prezente në jetën publike në Kosovë, duke i “përcjellur” ministrat, deputetët e madje edhe kryeministrin Albin Kurti në vizita zyrtare. Kafe dhe torte me deputetë e ministra, “spastrime” nga VV-ja dhe hartime të projektligjeve për Qeverinë Kurti janë vetëm disa nga aktivitetet e Mihalit.
Ani pse sot është festa e Kurban Bajramit, Mihali, që është koordinatoret e Komiteteve në LVV, është parë me dy figura mbi-mesatarisht qëndrore të kësaj partie. E fuqishmja Mihali është parë në një kafene me Hekuran Muratin, ministër i Financave në Qeverinë Kurti, dhe Armend Mujën, deputet i VV-së në Kuvend.
Në fotografinë e publikuar nga Paparaci, deputeti Muja duket fytyrngrysur, teksa Murati duket se i shpjegon dicka Mihalit, e cila duket se e dëgjon me vëmendje.
Mihali kohëve të fundit i ka shpeshtuar daljet publike me njerëz të pushtetit, por jo edhe në media, pasi ajo vazhdon të mos deklarohet e as të mos shfaqet në televizionet kosovare. Mihali u shfaq befasisht në një fotografi të deputetes së partisë “Guxo”, Jeta Statovci, ku prezent ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Mimoza Kusari, shefja e grupit parlamentar të VV-së.
Përtej fotografisë, mbishkrimi i saj ishte një mesazh për Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, pasi ai kishte dorëzuar një draft-statut të Asociacionit në selitë e ShBA-së, Gjermanisë dhe Francës.
“Duke draftuar…” – ishte gjysmë-fjalia e shkruar nga Statovci, me gjasë e konfirmuar paraprakisht nga e fuqishmja Mihali.
Vizitat “shtetërore”
Ndonëse s’ka asnjë pozicion zyrtar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Kurti, Mihali është parë së paku në dy delegacione shtetërore. 3 muaj më prë, zonja Mihali ishte parë në delegacionin qeveritar, të udhëhequr nga Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri. Siç shihej në fotografitë e publikuara, Mihali, që është aktiviste e VV-së nga Shqipëria, u “përcolli” Kurtin gjatë takimit me Lindita Nikollën, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Atëbotë, gazeta Nacionale e kishte pyetur zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, se në çfarë funksioni e cilësie ka marrë pjesë zonja Mihali takim. Tutje, Nacionale ishte interesuar të kuptojë nëse Mihali ka marrë ndonjë pozitë zyrtare në Qeverinë Kurti II, por nuk kishte përgjigje nga zëdhënësi Kryeziu.
Sigurisht, kjo nuk ishte hera e parë që zonja Mihali e “përcillte” dikë nga ekzekutivi në vizita jashtë dhe brenda Kosovës. Në fakt, muaj më parë, Mihali ra në sy teksa mori pjesë në një takim në veri së bashku me Besnik Bislimin, zëvendëskryeministër i Kosovës, e Xhelal Sveçlën, ministër i Punëve të Brendshme.
Edhe pse nuk ka ndonjë funksion zyrtar në MPB, zonja Mihali u pa në brendi të stacionit policior në veri, ku bashkë me Bislimin e Sveçlën ngrënën fli për nder të festës së 28 Nëntorit.
“Me fli të përgatitur nga një nënë nga Llapi e një vajzë nga Istogu, u bashkuam rreth sofrës për të festuar bashkë festën e 28 Nëntorit me zyrtarë policor të cilët me vullnet, profesionalizëm e përkushtim po kryejnë detyrat e tyre në veri të vendit tonë.” – shkruante Sveçla, teksa Mihali shihej në dy foto.
Dora e fortë mbi projektligjet…
Muaj më parë, Nacionale ka raportuar në lidhje me ndikimin e Mihalit në dy ligje jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën. Më saktësisht, burimet e Nacionales informonin se Mihali mori pjesë në hartimin e dy projektligjeve që konsideroheshin problematike për administratën publike, Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Duke u bazuar në burimet e saj të sigurta, Nacionale shkruante se fjalën kryesore për hartimin e këtyre dy projektligjeve e kanë pasur Mihali dhe disa aktivistë të tjerë të LV-së.
Në procesin e hartimit të këtyre dy ligjeve, Nacionale raportonte, se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike i ka anashkaluar grupet punuese që ishin themeluar nga sekretarja e përhershme e kësaj ministrie, Fahrije Tërnava, për hartimin e këtyre ligjeve.
Zyrtarët që ishin bërë pjesë e këtyre grupeve nuk janë ftuar asnjëherë nga ministria për ta dhënë mendimin e tyre për këto çështje.
“Më kanë ftuar për të qenë pjesë grupit punues për hartimin e Projektligjit për Zyrtarët Publikë, por nuk jam ftuar kurrë që të marr pjesë në ndonjë punëtori. Kam dëgjuar se me hartimin e ligjit është marrë një grup i vogël”- thoshte një zyrtar i një ministrie në kushte anonimiteti.
Ndryshe, Mihali ishte akuzuar vitin e kaluar edhe për përjashtimin nga gara e brendshme në VV të aktivistëve me besim konservator , gjë e cila dërgoi në disa dorëheqje.