Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres është shprehur i zhgënjyer me deklaratën e djeshme të sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurtit t’i ndalë masat e dhunshme në veri dhe të ripërqendrohet në dialog.
Torres ka thënë se Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së.
Sipas tij, është zhgënjyese për të që sekretari Blinken ta sulmojë “publikisht një aleat të SHBA-së”.
“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u pranoi në këtë rast. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar ai në Twitter, gjersa ka shpërndarë postimin e Blinken.
Dje, Blinken ka deklaruar se SHBA-ja dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës “që po tensionojnë situatën në veri”.
Qytetarët serbë në veri kanë bllokuar zyrat e komunale pas betimit të kryetarëve të zgjedhur. Ata kanë sulmuar pjesëtarë të policisë së Kosovës si dhe kanë djegur një veturë policore, poashtu duke vendosur edhe barrikada.
Policia e Kosovës ka reaguar duke larguar qytetarët që ishin mbledhur para objekteve të komunës në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kundër këtyre veprimeve ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, që ka bërë thirrje të mos merren veprime të mëtjeshme të njëanshme.