Gjatë 12 muajve të fundit, është folur shumë për faktin që Real Madrid nuk nënshkroi me një zëvendësues për mesfushorin legjendar Toni Kroos, i cili njoftoi tërheqjen e tij të papritur nga futbolli në verën e vitit 2024.
Megjithatë, janë bërë sugjerime se zëvendësimi i tij do të vijë nga brenda klubit, me Arda Gulerin që nga disa shihet si lojtari që mund të mbushë këtë boshllëk.
Guler, i cili ka zhvilluar një partneritet të fortë me Kylian Mbappen, ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Real Madrid këtë sezon. Ai është përdorur në një rol më të avancuar nga Xabi Alonso, gjë që i ka mundësuar ta çojë lojën e tij në një nivel të ri.
Megjithatë, pavarësisht se është aktivizuar si mesfushor, Guler nuk duhet parë si zëvendësues i Kroosit –këtë e ka theksuar vetë ish-ylli i Real Madrid, në një intervistë për Sport1.
“Jam i lumtur që këtë vit po merr dukshëm më shumë minuta, sepse e ka merituar nga ana futbollistike dhe është një djalë tek i cili mund të mbështetesh për të ardhmen. Ai është një lloj tjetër lojtari krahasuar me mua”.
“Pozicioni i tij më i mirë është qartësisht më ofensiv se imi, kështu që ai nuk është aspak pasuesi im. Por zakonisht jam i lumtur, sepse është një djalë i mire”.
“Kam pasur ende mundësinë të luaj me të. Ai ka një prekje të shkëlqyer me topin, të cilën këtë sezon e ka shfrytëzuar shumë mirë për Real Madrid”.
“Prandaj shpresoj që të vazhdojë të marrë minuta rregullisht, sepse është mënyra e vetme për t’u përmirësuar. Dhe jam i sigurt që ai mund të shënojë një epokë te Real Madrid për shumë vite me radhë”, ka thënë Kroos.







