Legjenda e futbollit, Toni Kroos dha një intervistë ekskluzive me El País Semanal, duke folur rreth vendimit të tij për t’u tërhequr nga futbolli ndërsa ishte ende në kulmin e karrierës së tij, vëmendjes së medias, jetës në Madrid pa futboll dhe shumë më tepër.
Mesfushori zyrtarisht u largua nga futbolli profesionist në vitin 2024.
Për vendimin për të dalë në pension:
“Kalova disa muaj duke e menduar. Nuk ishte një moment ku thjesht u zgjova një mëngjes dhe i thashë vetes: ‘Është koha për të dalë në pension!’ Jo, ishte një proces. Në fakt e mendova të dilja në pension një vit më parë, por në fund zgjodha kontratën time mepër një sezon tjetër, klubi me të vërtetë këmbënguli për këtë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshoi planin tim fillestar, i cili ishte gjithmonë ta përfundoja karrierën time pikërisht në këtë mënyrë. Dhe për fat të mirë, ia dola ta bëja. Mendoj se është e vështirë të imagjinohet një mënyrë më e mirë për t’u larguar sesa sezoni im i fundit me Real Madridin. U largova pasi fitova La Ligën dhe Ligën e Kampionëve. Mirupafshim.”
Për zgjedhjen për t’u larguar nga Madridi ndërsa është ende në formën e tij më të mirë:
“Mundësia më e mirë është të largohesh me një entuziazëm të madh. Largohesh me një ndjenjë të mirë sepse ishte vendimi yt, jo sepse ishe në stol ose nuk ishe më në nivelin apo rëndësinë për ekipin që kishe dikur. Doja ta shmangia këtë. As trajneri im, as familja ime, as trupi im nuk duhet të jenë ata që vendosin se kur do të përfundoj. Nuk mund të luash deri në moshën 40 vjeç. Duhet të largohesh para se trupi yt të thotë ‘Mjaft’.”
Për rolin vendimtar të mesfushorit qendror:
“Është e qartë: pozicioni i mesfushës qendrore është thelbësor në futbollin modern. Pa dyshim për këtë. Vetëm shikoni çfarë i ndodhi Manchester Cityt kur Rodri u lëndua. Shpesh, e kupton rëndësinë e një lojtari në atë rol vetëm kur ai mungon. Kur ai është atje, puna e tij merret si e mirëqenë – gjithçka duket mirë dhe sulmuesit i përfundojnë ndeshjet me qetësi. Që kur u tërhoqa, unë vetë jam bërë tifoz i Real Madridit – natyrisht, pas 10 vitesh në klub. Si të gjithë tifozët, pashë që ishte një sezon i vështirë. Njerëzit thanë: ‘Ah, kjo është sepse Toni Kroos nuk është aty!’ Doja vetëm që skuadra të bënte mirë – dhe që njerëzit të ndalonin së thënëi këtë.”
Mbi kritikat dhe median:
“Spanja është plot pasion dhe presioni nga gazetarët dhe tifozët është intensiv. Është pjesë e futbollit. Presioni mediatik mund të jetë pak më i fortë këtu sesa në Gjermani, por ekziston kudo, ndoshta edhe në vende të tjera. A është kritika ndonjëherë e padrejtë? Po, ndonjëherë është. Dhe nëse nuk je i fortë mendërisht, mund të të ndikojë negativisht. Por ndonjëherë është e kundërta: shtypi të ngre aq lart sa nuk është më realist. Luan tre ndeshje të mira – papritmas je më i miri në botë. Por kjo nuk është e vërtetë. Nëse di si ta mbash ekuilibrin, jeta bëhet më e lehtë. Disa lojtarë i lexojnë ose i dëgjojnë të gjitha këto dhe thjesht qeshin me to, ndërsa të tjerët shqetësohen shumë, duke menduar për imazhin e tyre e të tjera. Shkurt, ka futbollistë të mirë dhe të këqij, ashtu siç ka gazetarë të mirë dhe të këqij. Një lojtar elitar duhet të kuptojë se kritika nuk është personale – thjesht gazetarët bëjnë punën e tyre. Ata bëjnë atë që kërkojnë redaktorët e tyre. Dhe përparësia e tyre kryesore është shitjet.”