Sistemi i alarmit të shpejtë për ushqimet RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria.
Alarmi është lëshuar nga Kroacia e cila raporton se ka bllokuar në kufij një sasi mandarinash të ardhura nga Shqipëria të cilat kanë rezultuar me përmbajtje të një lloj pesticidi të ndaluar në vendet e BE-së të quajtur clorpirifosi.
Pas njoftimit në sistemin e alarmit të BE-së ka qenë Presidenti i Urdhërit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli, që e ka reaguar në faqen e tij në Facebook, ku shkruan se ky alarm vjen ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina.
Ai shkruan gjithashtu se kjo situatë është një kambanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore
Reagimi i Resulit:
Raste të reja me prezencë të clorpirifosit në mandarina shqiptare
Ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina, sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria!
Ku është Ministria e Bujqësisë?
Ministria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin shqiptar dhe të sigurojë standardet e sigurisë ushqimore. Pse po vonohen analizat dhe nuk po publikohen rezultatet? A ka dikush interesa në Ministrinë e Bujqësisë që lejon popullatën shqiptare të konsumojë produkte me nivele të rrezikshme të pesticideve?
Kjo situatë është një kambanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore. Institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat tona.