Për 90 minuta, demokratët protestuan në bulevardin “Dëshmorët e kombit” në Tiranë për të treguar forcën dhe parashtruar kërkesat politike ndaj mazhorancës socialiste.
Sali Berisha, nëpërmjet një videomesazhi, u shpreh se vendit i duhen zgjedhje të lira për të rikthyer normalitetin, dhe se këto zgjedhje, sipas tij, vijnë vetëm nëpërmjet një qeverie teknike.
Demokratët pritën pesë muaj që të organizonin një protestë kombëtare. Militantë nga 12 qarqe marshuan në bulevardin “Dëshmorët e kombit” me një kërkesë të vetme: “Rama ik”.
Edi Rama ia kishte plotësuar këtë kërkesë, pasi edhe këtë herë ishte larguar nga Kryeministria. Me apo pa praninë e tij, ajo godinë në sytë e demokratëve është fortesa që duhet shembur. Policia e Shtetit kishte marrë masat e saj për të garantuar sigurinë e perimetrit, çka bëri që edhe identifikimi i atyre që quhen “grup i zjarrit” nuk ishte e vështirë për ta.
Ndryshe nga protesta e shkuar, Sali Berisha kishte ndryshuar formatin e folësve dhe kishte caktuar që në podium të ngjitej vetëm një politikan, Ilir Meta, pasi vetë foli me një video-mesazh. Ilir Meta duket se nuk ngjalli emocion te protestuesit në bulevard, ku duartrokitjet më të mëdha ishin kur përfundoi fjalimin, pasi turma donte të dëgjonte liderin.
Sali Berisha doli gjithashtu me një fjalim me nota patriotike duke u ndalur te shpopullimi i vendit. Por, protesta ishte politike dhe mesazhi për qeveri teknike nuk mungoi.
Si mbyllje të protestës, demokratët nuk zgjodhën të thoshin natën e mirë, por marshuan drejt Bashkisë së Tiranës, ku zbrazën edhe molotovët e fundit të mbetur pa hedhur. /a2news/