Autoritetet në Shqipëri kanë reaguar pas incidentit të ndodhur në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku një grup tifozësh hodhën thirrje me përmbajtje raciste dhe antishqiptare.

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani thekson në një postim në rrjetet sociale se “gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri”.

“Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo”, deklaron Meidani.

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup nënvizon se “po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cilësoi incidentin si një akt të papranueshëm dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse kërkon “angazhim të pandërprerë”.

“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.

Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, theksoi Spiropali.

Spiropali vlerësoi reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.

“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen”, theksoi Spiropali.

Kryeparlamentarja Spiropali tha se “Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”.