As tri javë të plota s’janë të mirëqena për rehatinë e deputetëve, përkatësisht shumicës parlamentare të cilën kanë mandatuar qeveri të re, për moszgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Fillimi i marsit godet afatin kushtetues kur vendi duhet të ketë President/e të ri/e. Albin Kurti i Vetëvendosjes prioritet të deklaruar e ka buxhetin për vitin 2026, aq prioritet saqë katër ministri të sapothemeluara nuk i ka të buxhetuara fare në Projektbuxhetin 2026. Kultura, Administrata, Familja, Sporti dhe Rinia, si dikastere ministrore tash mëvete s’i kanë të (për)shkruara paratë. Ndërkohë Vjosa Osmani, ish-themeluesja e Guxo-s, parti kjo me me 7 deputetë në koalicionin Vetëvendosje, po kërkon votat e deputetëve për t’u rizgjedhur, sipas saj “sepse është në interes të Kosovës”. Me ç’ka marrë vesh Nacionale, dhe raportuar edhe nga gazetarë të tjerë, Albin Kurti i Vetëvendosjes i ka çuar porosi Osmanit që të sigurojë vetë 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim (përfshirë shtatë të Guxo-s) ndërsa ai do t’ia siguronte 50 të vetat. Presidentja në largim, ose në rizgjedhjeve, ende s’ka dhënë asnjë indikacion se ka perspektivë të mirë në këtë drejtim. Deputetë të Vetëvendosjes, ditë e më shumë, kanë qenë të mjegullt nëse Osmani do të jetë kandidate e tyre, mes tyre, më i fundit, Enver Dugolli, që foli për mundësinë e nxjerrjes së emri tjetër nga ajo.
Albin Kurti gjatë një mbledhje të parë të kabinetit të sapolegjitimuar qeveritar u shpreh se është i gatshëm të fillojë “komunikimet” me partitë opozitare për çështjen e Presidentit të Kosovës. Deri më tash nuk është raportuar as deklaruar ndonjë takim ndërparlamentarë ose ndërpartiak.
Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mohoi të jetë duke grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për vendosjen e kandidaturës së tij për president, por se la të kuptojë haptazi se do të dëshironte, dhe me mbështetjen e partive opozitare, do t’ia mësynte.
Në Rubikon te Adriatik Kelmendi, Haradinaj u shpreh edhe “i sigurt” se poqe se kandidatura e tij do të vendosej në Kuvendin e Kosovës, ai do ta mundtte me vota Vjosa Osmanin – me votë të fshehtë. Tha madje edhe se “ka edhe në VV që më votojnë”.
Në këtë rast, Haradinaj, vijoi të thotë se kundrejt Osmanit, në kompozitën e plotë prej 120 deputetësh, do ta mundte me shumicën e tyre.
“Unë jam ithtar për një kandidat të opozitës (për President). Cilindo qoftë. Nëse p.sh, opozita kish vlerësu me më kandidu mu, e kisha shqyrtu. Nëse PDK ka një propozim për këtë-atë, edhe atë e shqyrtojë. Edhe të LDK-së. Nuk jemi me asnjë kusht. Por, jemi të interesuar për kandidat të opozitës, do të ishte në vlerën e demokracisë të këtij vendi. Vota e fshehtë, nëse ka kandidatë të zoti, që ka përvoja e njohje, e respektojnë deputetët, i merr votat”, tha ai.
“Në rastin sikur të isha unë, mendoj që i marr votat në parlament. E fitoj garën. Kundër këtyre që janë përfol (Vjosa Osmanit) e fitoj, jam gjatë në politikë. Më respektojnë shumë njerëz. Munden edhe të VV-së me më votu, nuk është çudi. Nëse e bëjnë me kohë, e jo me lanë para seancës, sepse deputetët hynë në obligime. Mirëpo edhe për një kandidatë i opozitës, nuk e kam lehtë si për vete, sepse do vota janë personale”, tha ai.
Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka dhënë ofertën e tij për t’u marrë vesh me Albin Kurtin në gjetjen e një figure konsensuale, kushtetuetshmërisht korrekt, që është mbipartiak dhe përmbush kriterin e përfaqësimit të unitetit të popullit.
Po ashut edhe Lumir Abdixhiku në një qëndrim incial, ka thënë se kërkon marrëveshje politike për gjetjen e një figure konsensuale dhe jopolitike për President të Kosovës. /Nacionale/






