Inge Chen, shefe e zyrës për shtyp në kabinetin e eurodeputetit austriak, Thomas Waitz, ka thënë se diskutimet rreth caktimit të Raportuesit/es për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) janë duke vazhduar, por nuk e ka mohuar e as pohuar se pozita mund t’i besohet sërish grupit të të Gjelbërve.
“Aktualisht, ekzistojnë diskutime dhe negociata të vazhdueshme, kështu që ne nuk mund të komentojmë për momentin. Shpresojmë se së shpejti do të dimë më shumë nëse të Gjelbrit do ta marrin pozitën e Raportuesit/es për Kosovën”, ka thënë zëdhënësja e Waitz në një përgjigje për Albanian Post kur është pyetur nga redaksia nëse austriaku mund të emërohet në këtë pozitë.
Përgjatë dekadës së fundit, pozita e Raportuesit/es për Kosovën në PE është plotësuar nga të Gjelbrit. Prej vitit 2019 deri në vitin 2024 në këtë pozitë ka shërbyer eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, herë pas here kritike e ashpër e Qeverisë së Serbisë, por edhe e Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, ajo nuk ka arritur ta ruajë ulësen në zgjedhjet evropiane të qershorit.
Duke qenë se Waitz është në mesin e eurodeputetëve që kanë siguruar edhe një mandat, por edhe për faktin se ekziston një rregull i pashkruar që pozitën e Raportuesit/es për Kosovën në PE e mbulon grupi parlamentar i të Gjelbërve, atëherë emri i tij është përfolur si kandidat potencial për detyrën.
Waitz gjatë mandatit të fundit ka qenë shumë aktiv në diskutimet e PE-së rreth çështjeve që kanë të bëjnë me situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë veçanërisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së.
Ndryshe, raportuesit e PE-së janë përgjegjës për hartimin e raporteve të përvjetshme mbi situatën në vendet kandidate apo vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Në këtë sfond, vendimi për raportuesit e rinj të PE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të merret në vjeshtë.