Ish-presidenti amerikan do të vizitonte Tiranën për herë të parë. Pritja në Tiranë e ish-presidentit Clinton ishte madhështore, duke shkaktuar emocione të mëdha tek ish-presidenti i 42-të i ShBA-së. Vetëm disa qindra kilometra larg Kosovës së pavarur falë një angazhimi historik të administratës së ish-presidentit amerikan, Clinton do të bënte një thirrje të drejtpërdrejtë për deeskalim.
Ai u ndal në situatën e tensionuar në katër komunat në veri të Kosovës që nga 26 maji, kur qeveria mori vendimin e pakoordinuar me aleatët për vendosjen e katër komunave të zgjedhura shqiptare në objektet komunale. Nga Tirana, Clinton theksoi rëndësinë e ndalimit të marrëzisë për të siguruar një qeverisje të denjë.
“Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është të ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe mund të avancohet duke pasur tensione? Ka njerëz që jetojnë aty, kanë nevojë të kenë një qeverisje të denjë.” – theksoi ai.
Zbythja e madhe
Shkak-pasojë e thirrjeve të Clintonit apo jo, vetëm një javë më pas, Qeveria e Kosovës papritmas do të tërhiqej për të ndryshuar kështu kursin e veprimeve të saj.
Të martën e kësaj jave, Zyra e Kryeministrisë do të lëshonte një komunikatë që tregoheshin detaje rreth marrëveshjes për shtensionim të arritur në Bratisllavë mes Besnik Bislimit, zëvendësuesit të parë të Kurtit, dhe Miroslav Lajçak, pёrfaqёsues i Lartё i Bashkimit Evropian.
Në këtë komunikatë, theksohet se Qeveria e Kosovës tregon gatishmërinë për të kontribuar në shtensionimin e situatës në katër komunat në veri të vendit.
“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.” – theksohet aty.
Tutje, Qeveria e Kosovës njoftoi se e mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës.
“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.” – theksohet aty.
Që nga fillimi i eskalimit të situatës në katër komunat veriore, Kosova pësoi një mori ndëshkimesh fillimisht vërbale dhe më pas ekonomike e politike nga aleatët.
Situata në veri të Kosovës ishte tensionuar prej 26 majit, kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur t’i fuste në zyrë katër komunat shqiptarë të zgjedhur. Kjo kishte prodhuar një protestë nga ana e serbëve lokalë që më vonë ishte bërë e dhunshme. /Nacionale/