6.6 C
New York
Thursday, November 27, 2025

Buy now

Thierry Favre vlerëson progresin e FFK-së: Mesazhi që po jep udhëheqja aktuale është shumë i mirë

- Advertisement -

Në një intervistë ekskluzive për FFK Podcast, Thierry Favre, drejtor i programit HatTrick dhe drejtor i zhvillimit të federatave kombëtare në UEFA, foli për përvojën e tij me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe për ndryshimet që ka parë gjatë 10 viteve të fundit në Kosovë.

“Shoh shumë dallim. Mendoj se kjo është bukuria e punës sime. Gjithashtu, kjo është bukuria kur bëhesh anëtar i UEFA-së, sepse fitoni qasje në shumë programe zhvillimi. Unë jam përgjegjës drejtpërdrejt në programet e financimit, me të cilat kemi ndihmuar për stadiumin ‘Fadil Vokrri’, për selinë e FFK-së ku jemi sot, për Kampin Nacional në Hajvali, për kampin në Obiliq dhe për fushat me bari sintetik në të gjithë vendin. Pra, kjo është bukuria. Pastaj keni edhe akses në programe të tjera, siç është akademia për stafin. Pra, shumë gjëra të bukura. Dua të them që ndihem i bekuar që mund të shoqëroj rrugëtimin e Kosovës dhe të jem përgjegjës për këtë pjesë të rëndësishme që UEFA ua ofron anëtarëve të saj,” tha Favre.

Ai e pranoi se ndikimi i programeve të UEFA-s nuk është i njëjtë në federata të mëdha si Gjermania dhe federata më të vogla si Kosova. “Kam mësuar tashmë të përdor një gjuhë më diplomatike. Nuk do t’ju quaj të varfër, duke qenë pak më diplomatik. Jeni federatë në zhvillim e sipër, keni nevojë për zhvillim. Kam qenë dëshmitar i zhvillimit tuaj dhe ndihem i bekuar që pata mundësinë të jem 11 vjet më parë për të bërë vizitën e fundit zyrtare së bashku me delegacionin e FIFA-s dhe anëtarët e udhëheqjes së FIFA-s e UEFA-s para pranimit në Budapest në maj 2016, për të parë se çfarë mund të bëhet. Dhe tani askush s’ka se si mos t’i shohë këto zyra, pastaj të shoh Kampin Nacional në Hajvali etj”, tha Favre.

Favre përmendi gjithashtu ndikimin e vizionit të udhëheqjes aktuale të FFK-së në përmirësimin e situatës së futbollistëve të Kosovës: “Mendoj që mesazhi që po jep udhëheqja aktuale e federatës tuaj është shumë i mirë, sepse i keni marrë disa lojtarë në Gjermani dhe shumë prej tyre preferojnë tani të luajnë për Kosovën. Ky është një mesazh shumë i fortë. Në vitin 2018 kushtet nuk ishin të mira, por tani me ndihmën e UEFA-s, por edhe me vendime të mira dhe me vizion të qartë, lojtarët vijnë me dëshirë të luajnë për Kosovën, sepse keni rezultate të mira, paraqitje të mira dhe keni kushte të mira. Kur të përfundojë edhe Kampi në Hajvali do të jetë fantastike për lojtarët të grumbullohen e stërviten atje”, ka shtuar Favre.

Të ngjashme

Të fundit