Muzika dëgjohet edhe në rrugë.
Sipër dyqanit të pemëve e perimeve, dikush po hedhë valle.
Salla 20 metra katrorë, pa derë fare, tash e disa muaj, është bërë strehë e ansamblit “Bajram Curri”, në Prishtinë.
Për fatin e keq të rreth 70 anëtarëve të tij, sado e shkretë, kjo sallë nuk është as në pronësi të ansamblit. Ajo u është dhënë në shfrytëzim të përkohshëm nga Federata e Gjuetarëve të Kosovës.
Shtëpi të tijën, ansambli 59-vjeçar i Prishtinës nuk pati që nga paslufta.
Për të vazhduar misionin në ruajtje të kulturës, ky ansambël bredhi nga njëra shkollë në tjetrën, tash e 25 vjet, pa iu ofruar asnjë zgjidhje nga Komuna e Prishtinës a nga Ministria e Kulturës.
Shpresa se më në fund do të kenë objektin e tyre, stafit të ansamblit iu ringjall më 11 gusht të 2023-ës, kur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku nxori vendim për futjen e këtij ansambli në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme.
Megjithatë, as tani kur po bëhen gati 2 vjet, ansambli nuk ka një sallë ku të zhvillojë provat e ku të sistemojë fondusin dhe arkivin.
Klasa që u është dhënë në shfrytëzim nga Federata e Gjuetarëve, nuk ka derë dhe shkallët ngjitur me të, të çojnë në katin e sipër, ku nuk ka fare dritare dhe nga aty i gjithë i ftohti depërton në sallën ku ushtrojnë fëmijët nga mosha 7-vjeçare.
Për prindërit nuk është normale që fëmijët e tyre të ushtrojnë në një vend i cili nuk i plotëson as kushtet elementare për një sallë vallëzimi.
Fehmi Kosumi, babai i 11-vjeçares, Reina Kosumi, thotë se ka menduar edhe ta largojë të bijën nga ky ansambël kulturoro-artistik.
E kjo situatë ka ndikuar edhe në zvogëlimin e numrit të anëtarëve të ansamblit.
Nëse Komuna e Prishtinës nuk e përfill propozimin e Ministrisë së Kulturës për t’ia siguruar një objekt këtij ansambli, ai ka gjasa edhe të shuhet krejtësisht.
Në gusht të 2023-ës, nga Komuna e Prishtinës i thanë Kiksit se janë angazhuar për të gjetur një vend të përshtatshëm për këtë ansambël.
Vendi nuk u sigurua ende, çka bëri që për tre muaj të dimrit, anëtarët e “Bajram Currit” provat t’i kryejnë në shtëpi private.
Sahiti thotë se personalisht ministri, Hajrulla Çeku, u ka premtuar se ministria e tij do e mbështes çfarëdo projekti që kanë për ndërtim apo renovim të ndonjë objekti të cilin e cakton Komuna e Prishtinës.
Emisioni ka dërguar sërish pyetje në adresë të Komunës për të kuptuar në qoftë se, pas tetë muajsh, kanë gjetur një zgjidhje për këtë ansambël…..
Nga ansambli i kanë thënë Kiksit se deri tani as ministri Çeku, as kryetari Rama e madje as drejtoresha Halimi nuk i kanë vizituar për të parë me sytë e tyre gjendjen e objektit ku anëtarët e “Bajram Currit” po mbajnë provat.