Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Elmi Reçica së bashku me nënkryetaren Vlora Çitaku dhe deputetin Enver Hoxhaj ishin në Bassano Del Grappa të Italisë, ku themeluan një nëndegë të kësaj partie.
“Me këtë rast kryetar i nëndegës u zgjodh, Sahit Topalli, gjithashtu u votua edhe kryesia e nëndegës”, njoftoi Reçica përmes një postimi në Facebook.
“Partia Demokratike e Kosovës po zgjerohet dhe po fuqizohet në Itali. Jemi duke punuar vazhdimisht që të jemi sa më afër mërgimëtarëve tanë, me qëllim të përfaqësimit sa më të madh të mërgatës tonë në jetën politike, dhe bashkarisht të angazhohemi për një Kosovë të zhvilluar dhe një PDK të fortë”, shkroi ai.
Reçica tha se “Kuvendin e përcollën dhe e përshëndetën duke i dëshiruar punë të mbarë dhe suksese përfaqësuesja e Shoqatës “Zëri i Atdheut” profesoresha znj.Rajmonda Deda si dhe përfaqësuesi i Shoqatës “Bashkmi Kombëtar” profesor Ragip Thaçi”.
Ai i uroi të zgjedhur në strukturat drejtuese të kësaj nëndege.