Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet në tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive e të Kuvendit, të mbajtura pas aktgjykimit për bllokadën në Kuvend.
LDK-ja i është drejtuar Kushtetueses me pyetje rreth kërkesës për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Lidhur me këtë, para mediave është deklaruar Shkëmb Manaj nga LDK.
“Nuk ka vullnet politik ta ndryshojë rendin e ditës në seancën konstituive”, u shpreh ai.
Manaj tutje thotë se LDK kërkon nga kryesuesi i seancave konstituive, Avni Dehari që t’i kthehet rendit të ditës, dhe kështu të vazhdohet me votimin e kryetarit/es së Kuvendit të Kosovës.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajramit është deklaruar pasi që kjo parti dorëzoi lëndën e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në lidhje me situatën në Kuvend, duke thënë se ata do të vazhdojnë të marrin pjesë në seancë, dhe do të kërkojnë që kryesuesi i saj, Avni Dehari, të kthehet në rendin e ditës.
Ajo ka thënë edhe se nëse kjo s’ndodh ata do të vazhdojnë përsëri që në formë proteste, të mbajnë fjalimet edhe pasi Dehari ta mbyllë seancën.
‘‘Natyrisht do të marrim pjesë në seanca, sepse ne në secilën seancës po kërkojmë nga kryesuesi të kthehet në rendin e ditës, dhe të na mundësohet e drejta e votimit. Në qoftë se kjo nuk na mundësohet ne prapë do të veprojmë ashtu siç vepruam dje në shenjë proteste, pasi që kryesuesi ta mbyllë seancën ne do të vazhdojmë me fjalimin’’, ka thënë Bajrami.
Të enjten Gjykatës Kushtetuese është drejtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:
- Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;
- Hedhjen në votim të këtij Komisioni;
- Vetë votimin e Komisionit;
- Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:
-
- Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;
- Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;
- Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.
Në anën tjetër, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në votime.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari tha se interpretimi aktual i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka komplikuar më shumë situatën në vend që ta sqarojë, ndërsa theksoi se votimi në seancë është obligim.
“Nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues, është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë, ndërsa synimi i tretë është e mëse e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë në mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare. Votimi në seancë është obligim. Ne po e përgatisim që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitare për mos pjesëmarrje në votim”, tha ajo të martën.
Partitë parlamentare nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera parlamentare.
Në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, u angazhua sërish presidentja Osmani. Osmani i priti të mërkurën Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.
Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit.