Deri në sekondën e fundit, e paimagjinueshmja ishte e mundshme për Kosovën, ka shkruar mediumi prestigjioz “The Guardian” në raportin për ndeshjen Kosovë-Turqi të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” pësuan 1:0 në finale të plejofit për të shuar ëndrrën për plasman në Kupën e Botës në Amerikë.
Në artikullin me titull “Akturkoglu e kalon Turqinë duke i dhënë fund shpresave të Kosovës për debutimin në Kupën e Botës”, “The Guardian” ka përshkruar atmosferën e zjarrtë që mbizotëroi në Prishtinë.
Në raport është thënë se futbollistët e Kosovës u larguan në fund nën duartorktijet e turmës së cilës i ishin lejuar “fantazitë më të çmendura”.
Për Kosovën është shkruar se kjo nuk do të jetë fundi dhe se ka një gjeneratë që po lulëzon.
“Po të ishin më efikase, një shpërthim epik do të ndodhte. Prishtina ka qenë elektrike gjithë ditën. Dukej sikur i gjithë populli 1.6 milionësh, me një pjesë të Shqipërisë ishin në qendër të qytetit për një rast të pashoq, qëkur u shpall pavarësia më 2008”, thuhet në raportim.
Artikulli është përmbyllur me fjalët e përzgjedhësit Franco Foda. “E ardhmja është e ndritshme. Nuk po shqetësohem për të ardhmen e këtij ekipi. Po shkojmë në drejtimin e duhur dhe jam i sigurt se do të arrijë potencialin e vet shpejt”, ka thënë ai pas takimit.
E artikulli mbyllet me fjalinë: “Edhe nëse ëndrrat e tyre janë zbehur, shteti rrallë është ndier më i gjallë”






