Liria e shtypit në Serbi po përballet me një “pikë kthese të rrezikshme” pas shtimit të presionit mbi mediat e pavarura nga ministrat dhe mediat e mbështetura nga shteti, ka paralajmëruar një grup redaktorësh të lartë, raporton The Guardian.
Redaktorët, të cilët janë nga media brenda grupit të pavarur United Media, thanë se gazetarët e tyre përballen me “ngacmime të vazhdueshme, sulme fizike dhe fushata shpifëse” për shkak të raportimeve të tyre në vendin që është përfshirë nga protesta kundër presidentit autokrat, Aleksandar Vuçiq.
Ky reagim vjen pas asaj që duket se ka qenë demonstrata më e madhe kundër korrupsionit në historinë e Serbisë këtë muaj. Tubimi masiv në Beograd shënoi kulmin e katër muajve protesta kundër qeverisë, pas shembjes fatale të një çatie betoni në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit, në nëntor të vitit të kaluar.
Grupet e shoqërisë civile kanë paralajmëruar prej muajsh për një mjedis gjithnjë e më armiqësor ndaj mediave të pavarura që nga shembja e stacionit, e cila mori jetën e 16 personave dhe shkaktoi një reagim të fortë politik kundër administratës pro-ruse të Vuçiqit.
“Media në Serbi është në një pikë kthese të rrezikshme”, shkruan redaktorët në një letër të hapur të nënshkruar nga pesë media, përfshirë edhe Igor Božić, drejtorin e lajmeve të N1 Serbia, e cila është e lidhur me CNN-in. “Qeveria po intensifikon sulmet ndaj gazetarisë së pavarur, veçanërisht ndaj mediave brenda United Media, ndërsa kriza politike përkeqësohet dhe zhgënjimi publik rritet”.
“Në vend që të adresojë problemet reale të qytetarëve, qeveria krijon histori të rreme që i paraqesin mediat e pavarura si agjentë të huaj dhe armiq të shtetit. Si rezultat, gazetarët tanë sulmohen, bllokohen nga ngjarjet zyrtare dhe bëhen objekt i dezinformimit, me qëllim që të cenohet besimi i publikut ndaj tyre”.
Reporterët pa Kufi (RSF) kanë deklaruar se presioni ndaj mediave në Serbi ka arritur nivele që nuk janë parë që nga vitet 1990. Organizata gjithashtu i ka bërë thirrje BE-së të dënojë bastisjen e zyrave të Qendrës për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), një OJQ që drejton një faqe të njohur për verifikimin e fakteve.
Pavol Szalai, kreu i zyrës për BE-Ballkan të RSF, tha se Serbia ishte e 98-ta nga 180 vende dhe territore në indeksin botëror të lirisë së shtypit vitin e kaluar, renditja më e ulët në 22 vitet e ekzistencës së këtij indeksi.
Ka pasur disa raporte për armiqësi ndaj gazetarëve të pavarur që nga tragjedia e stacionit të trenit. Në fund të vitit të kaluar, gazetarja e N1, Zhaklina Tataloviq, dhe kameramani i saj Nikola Popoviq u ngacmuan ndërsa mbulonin protestat. Grupi lokal për lirinë e shtypit tha në atë kohë se Tatalović dhe Popović ishin përballur me fyerje seksiste dhe dhunë fizike. Policia u akuzua se nuk kishte ndërhyrë.
Një tjetër gazetare e N1, Jelena Mirkoviq, u sulmua gjatë mbulimit të protestave kundër shembjes së një ure. Ajo pësoi një lëndim në qafë dhe më pas nuk ishte në gjendje të punonte. Muajin e kaluar, një tjetër gazetare e N1, Ksenija Pavkov, u kërcënua me fjalë ndërsa raportonte.
Në letrën e tyre, grupi i redaktorëve tha se Vuçiq po akuzon në mënyrë të rreme gazetarët për “nxitje të trazirave”. Ata gjithashtu thanë se po ushtrohet presion financiar dhe rregullator mbi mediat e pavarura, duke larguar reklamuesit dhe partnerët e biznesit.
“Me protesta studentore në vazhdim dhe një qeveri të shpërbërë që pret zgjedhje të reja, jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë e gazetarëve tanë në terren”, shkruajnë ata. “Armiqësia në rritje ndaj mediave të pavarura, e nxitur nga retorika e orkestruar e qeverisë, ka krijuar një mjedis ku dhuna jo vetëm që lejohet, por madje edhe inkurajohet.
Në vetëm katër muajt e fundit, gazetarët tanë, përfshirë Zhaklina Tataloviq, Ksenija Pavkov dhe Jelena Mirkoviq, kanë pësuar sulme fizike dhe verbale. Pavarësisht provave të qarta video për autorët, policia nuk ka bërë asgjë për t’i ndëshkuar ata.”
Gjysmë milioni njerëz kanë nënshkruar një peticion online që kërkon një hetim të pavarur mbi akuzat se forcat e sigurisë në Serbi kanë përdorur një armë zanore – atë që peticioni e përshkruan si një “top zanor” – gjatë tubimit të 15 marsit.
Vuçiq mbetet nën presion dhe përballet me momentin më të rrezikshëm të 12 viteve të tij në pushtet. Protestat kanë qenë të vazhdueshme në Serbi që nga nëntori. Presidenti deri më tani ka tentuar të shmangë përgjegjësinë, duke bërë disa dorëheqje si pasojë e shembjes së stacionit.
Qeveria serbe, e udhëhequr nga kryeministri Milosh Vuçeviq, dha dorëheqjen zyrtarisht javën e kaluar, dhe Vučić tha se zgjedhjet mund të mbahen në qershor.
Protestuesit kërkojnë llogaridhënie për katastrofën në Novi Sad, si dhe institucione më transparente të bazuara në sundimin e ligjit. Më shumë se një duzinë personash janë akuzuar për shembjen e çatisë. Të premten u njoftua se një adoleshent ishte viktima e fundit nga tragjedia.
Rreth 325,000 njerëz dolën në rrugët e Beogradit më 15 mars, megjithëse qeveria ka mohuar këto shifra. Pamjet filmike tregojnë turma njerëzish që shpërndahen papritur, me disa që ankohen për pasoja të ndjeshme që lidhen me përdorimin e një arme zanore. Megjithatë, politikanë të lartë dhe policia kanë mohuar përdorimin e një arme të tillë. Vuçiq e përshkroi pretendimin si një “gënjeshtër djallëzore” që synon “shkatërrimin e Serbisë”.