“The Guardian” e “Associated Press” shkruajnë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e pesë institucioneve paralele, ishte një lëvizje që u kritikua menjëherë nga ShBA.
Mediat e njohura kanë cituar deklaratën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se institucionet në fjalë shkelin Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Ambasada amerikane theksoi në një deklaratë të së premtës “shqetësimin dhe zhgënjimin e Uashingtonit me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara…dhe se ato vazhdojnë të kenë një ndikim direkt dhe negative në pjesëtarët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë’.
Në raportim përmendet se raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të mbesin të tensionuara, sidomos pas sulmit të shtatorit 2023, ku u vra zyrtari policor, Afrim Bunjaku.
“Këtë muaj, Prishtina tha se do ta hap urën në lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në veri me serbë dhe në jug me shqiptarë. Ura është e mbyllur për kalim të veturave që me shumë se një dekadë…”.
Mediat e huaja shkruajnë se Kurti ka pasur mosmarrëveshje me fuqitë perëndimore edhe rreth “veprimeve të njëanshme” të Kosovës për mbylljen e gjashtë degëve të bankës serbe në veri të vendit.
“Trazirat në Mitrovicën veriore janë shtuar që nga viti i kaluar, kur forca paqeruajtëse ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO në Kosovë, e njohur si KFOR, rriti numrin dhe pajisjet e saj përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, duke përfshirë edhe urën në Mitrovicë.” – thuhet tutje.
Në fund të raportimeve, përmendet se Kosova do të votojë më nëntë shkurt, një votë kjo që sipas mediave, “do të jetë një test për Kurtin”, partia e së cilit fitoi shumicën në vitin 2021.
Çka thanë ShBA e aleatët tjerë?
Pas mbylljes së objekteve të komunave ilegale në veri, ShBA mbrëmjen e së premtës lëshoi një deklaratë të ashpër, ku mes tjerash, thuhej se Qeveria e Kosovës ka instrumentalizuar policinë.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.” – thuhej në komunikatën, ku mes tjerash, theksohej se partneriteti ShBA-Kosovë po përkeqësohet.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.” – shkruan mes tjerash.
Ndërkohë, ambasadorët e vendeve të tjera në Kosovë thanë se këto veprime ishin të njënashme dhe nuk u koordinuan me ta.