Si do t’ia bëjë Europa, nëse Rusia i ndërpret furnizimin me gaz? Gjendja nuk është aq keq sa ç’mendohet, shkruan The Economist
Çdo katër vjet, Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Gazit (ENTSOG), duhet të kryejë një simulim të skenarëve të ndryshëm të fatkeqësive.
Në ushtrimin më të fundit të vitit të kaluar, kërkuesit shkencorë të ENTSOG, analizuan 20 skenarë të ndryshëm fatkeqësish dhe arritën në përfundimin se “infrastruktura europiane e gazit, ofron fleksibilitet të mjaftueshëm për shtetet anëtare të BE-së, për të garantuar sigurinë e furnizimit me gaz”.
Fjalë mjaft siguruese. Por këta kërkues nuk morën parasysh skenarin që po kërcënon tani Europën. Çfarë ndodh nëse Vladimir Putin pushton përsëri Ukrainën, Perëndimi godet Rusinë me sanksione dhe më pas zoti Putin hakmerret, duke mbyllur të gjitha tubacionet që transportojnë gazin rus në Perëndim?
Mendimi i përgjithshëm është se një ndërprerje e plotë e gazit nga Rusia, që përbën afërsisht një të tretën e gazit të djegur në Europë, do të kishte pasoja të paimagjinueshme. Thane Gustafson, autor i “Klimat”, një libër mbi energjinë ruse, vëren se edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik nuk i mbylli eksportet e gazit. Dhe gjatë mosmarrëveshjes më të ashpër midis Rusisë dhe Ukrainës mbi gazin, në vitin 2009, u ndërpre vetëm gazi që kalonte nëpër atë vend.
A mund të ndërpritet gazi
Por një ndërprerje e plotë e gazit nuk është më e paimagjinueshme. Gustafson tani thotë: “Nuk mendoj se është e pamundur që Putin të mbyllë rubinetin e gazit për shkak të Ukrainës”. Ndryshe nga paraardhësit sovjetikë, presidenti rus mund të përballojë koston e një goditjeje të shkurtër energjetike.
Jaime Concha nga firma Energy Intelligence, ka studiuar shifrat. Duke mos llogaritur asnjë gjobë (për shembull, për shkelje të kontratës) dhe duke supozuar çmimin mesatar ditor në tremujorin e katërt të vitit 2021, ai ka llogaritur se ndërprerja e plotë e gazit drejt Europës, do t’i kushtonte kompanisë Gazprom rreth 203 milionë deri në 228 milionë dollarë humbje në ditë. Pra, nëse një gjendje e tillë do të zgjaste tre muaj (epërsia e zotit Putin zbehet në pranverë, kur kërkesa për gaz bie në vetëm 60% të nivelit të janarit), shitjet e humbura do të arrinin në rreth 20 miliardë dollarë.
Një humbje e këtyre përmasave do të kishte qenë shkatërruese për ekonominë e paqëndrueshme sovjetike, e cila mbështetej shumë në shitjet e gazit në Perëndim. Rusia sot ka rreth 600 miliardë dollarë në rezervat e Bankës Qendrore dhe mund ta përballojë lehtësisht një goditje të tillë. Rusia, madje, mund të ketë edhe përparësi financiare, të paktën në një periudhë afatshkurtër.
Thjesht fërkimet mbi Ukrainën kanë rritur tashmë çmimet e gazit dhe naftës (kjo e fundit përbën pjesën më të madhe të të ardhurave të Rusisë nga energjia, dhe jo gazi). Nëse nuk shpërthen një luftë, Banka JPMorgan Chase, parashikon se falë çmimeve më të larta, Gazprom do të ketë mbi 90 miliardë dollarë fitime bruto këtë vit, nga 20 miliardë dollarë në vitin 2019.
Nëse Rusia e përdor armën e gazit, sa do ta dëmtonte kjo Perëndimin? Nëse ndërprerja do të kufizohej vetëm në kalimin e gazit përmes Ukrainës, si në vitin 2009, pjesa tjetër e Europës do ta menaxhonte mirë goditjen. Në fakt, Gazprom tashmë e ka ulur rrjedhën e gazit përmes Ukrainës. Banka Citigroup, llogarit se prurja e gazit është sa gjysma e nivelit të vitit të kaluar dhe sa një e katërta e vitit 2019.
Çfarë mund të ndodhte
Po në lidhje me skenarin më të tmerrshëm, sipas të cilit zoti Putin do të ndërpriste të gjithë gazin drejt Europës? Sigurisht që do të shkaktoheshin disa mungesa të menjëhershme. Ato do të ndiheshin më tepër në Sllovaki, Austri dhe në disa pjesë të Italisë (shih grafikun 1), mendon David Victor nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego.
Nga vendet e mëdha europiane, Gjermania është më e rrezikuara. Për shkak të dëshirës së saj (të motivuar nga klima), për të mbyllur termocentralet me qymyr dhe vendimit të saj të nxituar (të marrë pas katastrofës së Fukushimës në Japoni), për të mbyllur në mënyrë të parakohshme centralet bërthamore, Gjermania është më e varur se ç’duhet nga gazi natyror. Ajo është konsumatori më i madh i gazit në Europë, i cili përbën afërsisht një të katërtën e konsumit të saj total të energjisë, dhe Rusia furnizon mbi gjysmën e importeve të gazit të vendit.
Diplomatët europianë dhe amerikanë po përpiqen të sigurojnë rritjen e prodhimit të Gazit Natyror të Lëngshëm (GNL) që do të dërgohet në Europë nga firmat e mëdha të energjisë në Amerikë dhe Katar, por ky është kryesisht një teatër politik. Michael Stoppard, nga firma kërkimore IHS Markit, mendon se ka pak kapacitet të lirë prodhimi jashtë Rusisë dhe se “furnizimi në raste urgjente” i disponueshëm në Amerikë, nuk mund ta ndihmojë shumë Europën, sepse “strukturat e saj të eksportit po funksionojnë me shpejtësi të plotë”.
Lajmi i mirë është se sistemi energjetik i Europës është më elastik se sa gjatë krizës së vitit 2009. Andreas Goldthau nga Universiteti Erfurt në Potsdam, vë në dukje disa ndryshime të dobishme. Masat pro konkurrencës (si ndalimi i “klauzolave të destinacionit” që ndalojnë rishitjen e gazit) kanë dobësuar kontrollin e Gazprom. Një rrjet i dendur ndërlidhësish gazi lidh tani vendet që më parë ishin të izoluara.
Një burim tjetër optimizmi është GNL. Falë investimeve të mëdha në strukturat e rigazifikimit në të gjithë Europën, tani rajoni ka mjaft kapacitet bosh. Citigroup vlerëson se me normat historike të përdorimit për ato struktura që funksionojnë në 50% të kapacitetit të tyre ose më pak, teorikisht, rajoni është në gjendje që të zëvendësojë gati dy të tretat e importeve të gazit rus.
Faktori kufizues nuk është kapaciteti i rigazifikimit, por furnizimi i disponueshëm me GNL. Meqenëse duhet një kohë e gjatë për të zgjeruar kapacitetet e reja të prodhimit dhe eksportit, shpresa më e mirë e Europës, do të ishte të mbante për vete ngarkesat ekzistuese me GNL të destinuara fillimisht për vende të tjera.
Një investitor vëren se gjatë krizës së fundit të energjisë, kur çmimet europiane u trefishuan midis tetorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, “një armatë me GNL” lundroi në Europë, ndërsa ngarkesat me gaz u devijuan nga Azia. Kjo hyrje gazi kompensoi rënien në importet e gazit rus (shih grafikun 2).
Thuhet se një armatë e re po vjen. Firmat shtetërore kineze të energjisë, duke vënë re fitimet e shpejta nga çmimet e larta europiane të gazit, po kërkojnë të shesin më shumë GNL. Massimo Di Odoardo, nga shoqëria e konsulencës Wood Mackenzie, shton se, për shkak se udhëtimi nga Amerika në Europë, është më i shkurtër se ai në Azi, anijet që mbartin GNL, mund të kryejnë më shumë udhëtime, duke mundësuar një shtesë prej 10% në kapacitetin e eksportit në Europë. Gjithsesi, ai mendon se GNL shtesë mund të mbushë rreth 15% të mungesës që do të rezultonte nga një ndërprerje e plotë ruse.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është sasia e gazit që mbahet rezervë. Për shkak të dimrit të hidhur të vitit të kaluar dhe ngurrimit të Gazprom për të mbushur njësitë e magazinimit që kontrollon në Europë, depozitimi i gazit mbeti në nivele nën normën pesëvjeçare.
Megjithatë, Rstad, një firmë kërkimore energjetike, llogarit se nëse vazhdon moti normal, këtë dimër, do mund të ruhej mjaftueshëm gaz deri në pranverë, për të kompensuar sa për dy muaj eksportet e humbura të gazit rus. Disa analistë besojnë se teprica mund të mbulojë edhe katër muaj ndërprerje të gazit, megjithëse një goditje e motit të ftohtë do ta reduktonte shpejt këtë nivel.
Europa ka gjithashtu një armë sekrete. Di Odoardo vë në dukje “jastëkët e gazit” të Europës, që janë masive, por shumë pak të diskutuara. Për arsye teknike dhe sigurie, rregullatorët këmbëngulin që njësitë e magazinimit si shpellat e kripës dhe akuiferët, të mbajnë një sasi të madhe gazi që normalisht nuk është e disponueshme për t’u hedhur në treg.
Analistët në Wood Mackenzie mendojnë se deri në një e dhjeta e kësaj sasie, mund të përdoret pa probleme. Nëse rregullatorët do të jepnin leje, siç mund të ndodhte në rastin e një krize të shkaktuar nga lufta, kjo do të arrinte vlerën e një muaji të importeve ruse.
Stoppard i thjeshton gjërat në mënyrë të dobishme. Eksportet e gazit rus në Europë aktualisht arrijnë në rreth 230 milionë metra kub në ditë (mk/d). Ai llogarit se kapaciteti i tepërt i rigazifikimit mund të arrijë në rreth 50 milionë mk/d.
Rritja e energjisë së qymyrit dhe energjisë bërthamore, për shembull, duke rindezur termocentralet e mbyllura, mund të shtojë 40 milionë mk/d. Kjo sërish lë një mungesë prej 140 mk/d. Ai llogarit se nëse moti mbetet normal, atëherë sasia e gazit të depozituar (pa përfshirë “jastëkët e gazit”) do të mbulonte mungesën e mbetur prej 140 milionë mk/d për katër muaj e gjysmë. “Më shumë se një krizë fizike e furnizimit është një krizë çmimesh”, përfundon ai.
Kush do ta paguajë çmimin
Me pak fjalë, Europa do të vuajë nëse Rusia ndërpret gazin, por ky çmim do të paguhet nga kuleta dhe jo nga vuajtjet fizike. Kostoja do të përkeqësohet, parashikon Jonathan Elkind nga Universiteti Columbia, sepse “Europa nuk është e qetë për momentin, por po vuan nga një treg i trazuar”. Tregjet e energjisë së kontinentit sapo kanë kaluar një goditje çmimi në fillim të dimrit dhe perspektiva e çmimeve për të gjitha mallrat e energjisë, nuk është aspak e mirë.
JPMorgan Chase parashikon se, edhe pa ndërprerjen e gazit rus, Europa do të shpenzojë rreth 1 trilion dollarë për energji këtë vit, nga 500 miliardë dollarë në vitin 2019. Nëse rajoni detyrohet të konsumojë rezervat e veta të gazit për t’i mbijetuar një ndërprerjeje ruse, atëherë do t’i duhej të shpenzonte edhe më shumë gjatë verës, duke rindërtuar furishëm rezervat e veta për të shmangur një krizë energjie dimrin e ardhshëm.
Kjo është një perspektivë vërtet e pakëndshme. Por Rusia do të paguante një çmim edhe më të lartë në një periudhë afatgjatë. Një burim i industrisë vë në dukje se Gazprom ka të ngjarë të përballet me pasoja “masive” komerciale, duke filluar nga gjobat për klientët, deri te ndalimi i parave që fiton Rusia për pagesat e kontratave.
Gazprom do ta kishte të vështirë të siguronte një kontratë afatgjatë në Europë pas një shfaqjeje të tillë mosbesueshmërie dhe agresiviteti. Dhe gazsjellësi Nord Stream 2, aq i dashur nga Putini, me siguri do të hidhej poshtë njëherë e mirë. Një sjellje e tillë madje mund të bindte edhe Kinën, e cila tani ka filluar të importojë më shumë gaz rus, se shqetësimet e saj të kahershme për besueshmërinë ruse, ishin të vërteta.
Siç argumenton zoti Victor, një përdorim i tillë i pacipë i armës energjetike, ndoshta do ta detyronte Europën të përpiqej më shumë për të ulur varësinë e saj nga eksportet ruse të gazit, “jo vetëm sepse ato janë të pasigurta, por mbi të gjitha, sepse të ardhurat financojnë sjelljen e keqe ruse”.