Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka thënë se është i pafajshëm për akuzat që i vihen barrë.
Këtë deklarim, Thaçi e dha pasi mbrojtësit e tij u deklaruan në fjalën hyrëse.
Thaçi ka thënë se ndjen keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e luftës, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, apo politike.
“Viktimat nuk marrin drejtësi, kur të pafajshmit ndiqen, një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër, unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza, por unë jam gati të përballem me këtë sfidë të re”, ka thënë Thaçi.
Sipas Thaçit, emocionet, motivet apo mllefet politike, nuk duhet të kuptohen sikur fakte.
“Emocionet, motivet apo mllefet politike të secilit akter politik, nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë, kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës, të ekzagjeruara apo të përshtatura, të akterëve të ndryshëm të luftës”, ka thënë Thaçi.
Thaçi tha se pret që ky gjykim të jetë i drejtë dhe të përfundojë shpejt.