Ish-presidenti Hashim Thaçi ka pasur një intervistë të rrallë, të realizuar më 7 qershor të vitit 1992 nga gazeta “Bujku”. Si lider studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Thaçi përshkroi vështirësitë studentore të asaj kohe, shkruan Demokracia.com.
Thaçi kishte kritikuar ashpër individë të caktuar, të cilët kishin rritur çmimin e qirasë dhe, për këtë arsye, ishte vështirësuar banimi për studentët dhe pjesëmarrja në ligjërata.
“Studentët kanë probleme edhe me udhëtimin, për shkak të çmimeve astronomike. Po ashtu, edhe banimi është shumë i shtrenjtë për xhepin studentor. Si pasojë e kësaj, studentët, pa dëshirën e tyre, detyrohen të mos vijojnë një pjesë të ligjëratave. Mirëpo, duhet përkujtuar disa individë se studentët nuk përbëjnë atë shtresë nga e cila duhet përfituar. Në këtë aspekt, në radhë të parë, mendohet për çmimet e larta të banesave, si pasojë e së cilave kushtëzohet në masë të madhe vijimi i ligjëratave nga ana e studentëve. Dihet se pa sigurimin e kushteve elementare nuk ka studentë, e pa studentë nuk ka universitet”, kishte deklaruar Thaçi.
Thaçi, në atë kohë si lider studentor dhe prorektor studentor, kishte kritikuar edhe disa mësimdhënës, të cilët ishin pjesë e Lidhjes Komuniste dhe kishin instaluar mendimin monist.
“Dihet se me vite të tëra Universiteti ishte ndoshta institucioni më i kontrolluar nga ana e pushtetit, andaj në gjirin e vet jo rrallëherë dinte të mbante edhe njerëz, të cilëve assesi nuk u takonte profesioni i respektuar i mësimdhënësit. Me vite të tëra, nëpër shumë segmente, ishte krijuar dhe institucionalizuar mënyra e të menduarit monist. Pra, të qenët në një parti (ish-LKJ) dhe nënshtrimi ndaj çdo direktive nga lart ka lënë pasoja edhe në jetën e mëvonshme në Universitet. Si çdokund, zgjedhjet e para të lira, bile jo në tërësi, nuk mund t’i tejkalojnë të gjitha mangësitë që la periudha e gjatë e sundimit serbosllav. Andaj është e logjikshme që, me kalimin e kohës dhe me zgjedhje të reja, të tejkalohen dobësitë, në mënyrë që secili i zgjedhur të gëzojë besimin dhe përkrahjen e atyre që i kanë zgjedhur, dhe të jetë zë i tyre”, deklaronte Thaçi.







