Kryeministri Albin Kurti mbrëmë ka paraqitur përbërjen e re të kabinetit qeveritar. Në postin e Ministres së Drejtësisë është zgjedhur “prokurorja e Hagës”, Donika Gërvalla-Schwarz, shkruan Insajderi.
Donika Gërvalla-Schwarz, njëzëri sikur se Vetëvendosje kanë qasje të njohur për çka edhe u kritikuan se vazhdimisht dolën hapur kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në vitin 2016, Gërvalla kishte shpërthyer me akuza të rënda ndaj ish krerëve të UCK’së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.
“Janë një sërë argumentesh të cilat Hashim Thaçin, i cili edhe kur ishte në opozitë, por sidomos pasi u bë kryetar i shtetit, dhe atëherë filloi degradimi total i Kosovës, Hashim Thaçi e ktheu këtë vend në një çerdhe të krimit të organizuar dhe të korrupsionit dhe nuk është e habitshme pastaj që gjërat rrodhën dhe erdhën ashtu siç erdhën… kemi Kadri Veselin, shefin e SHIK-ut, gjithkush në botë e di se kush është Kadri. Kadri Veseli është ish-koka e një organizate që ka kryer krime të rënda ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla.
Deklarata e bërë kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit nuk është e vetmja e tillë. Në dy raste gjatë vitit 2020, ajo e cilësonte shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin si kriminel.
“Figurë e diskredituar e botës së krimit” ishte epiteti që Gërvalla ia kishte dhënë Selimit qysh më 25 mars të vitit të kaluar, kur po rrëzohej Qeveria Kurti I.
“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, shkruante fillimisht Gërvalla më 7 shkurt, katër ditë pas formimit të Qeverisë Kurti I.
“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, shkruante një muaj më vonë.
Selimi, bashkë me tre ish-udhëheqësit tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi e ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi u arrestuan në nëntor të vitit 2020.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar, ndër tjerash, i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve./insajderi.org







