Tetë trupa të mbytur u nxorën nga lumi Drina, pasi anija me të cilën lundronin disa migrantë, u fundos natën e shkuar gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë.
Drejtori i Administratës Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska, Boris Tërniniq, konfirmoi se anija u përmbyt pranë qytetit Tegara në komunën e Bratunacit në Bosnje e Hercegovinë.
“Një pjesë e migrantëve shpëtuan, dolën në breg, ndërsa pjesa tjetër jo”, tha ai, duke shtuar se kërkimet janë në vazhdim e sipër.
Lajmi për përmbytjen e anijes u dha fillimisht nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Menjëherë pas raportimit, në vendngjarje u dërguan pjesëtarë të Policisë dhe të Departamentit për Situata Emergjente të Serbisë.
Në kërkimet në lum dhe në bregdet, aktualisht, janë duke marrë pjesë shërbimet e të dyja shteteve.
“Sipas migrantëve që kanë arritur në breg, në anije kanë qenë rreth 25 persona, ndërsa policia dhe shpëtimtarët kanë gjetur 18 persona në breg – tre prej të cilëve fëmijë”, tha Ministria e Brendshme e Serbisë.