Dokumentari është xhiruar në disa shtete dhe regjisori Valmir Tertini tregon se premiera pritet këtë vit në Tiranë, që do të jetë me të ftuar.
Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Valmir Tertini tregon për punën që është bërë për realizmin e dokumentarit kushtuar aktorit të madh, ku skenari është shkruar nga Fahri Musliu.
Tertini shprehet se dokumentari “Bekim Fehmiu” është rrëfimi më adekuat i një aktori të keqkuptuar, pra është e vërteta e tij nga faktet vizive, fjalët e tij, shpjegimet e të afërmve e deri tek pikëpyetjet e krijuara ndër vitesh. Regjisori tregon se në vitin 2010 u postua një video nga puna e bërë deri në atë kohë, ndërsa për 13 vjetorin e ikjes fizike të aktorit nxorën trailerin zyrtar të dokumentarit, i plotësuar, në 3 gjuhë dhe i xhiruar në 6 shtete, ashtu siç ishte rrugëtimi i tij.
Regjisori Valmir Tertini njihet me filmat e tij me tema të guximshme si “Vulë” për punonjësen e pandërgjegjshme të ambasadës në Kosovë, i cili ka sjell 13 çmime ndërkombëtare, i shfaqur në më shumë se 60 festivale filmi. Pastaj filmi “Tradhti me letra” për martesat për dokumentacione, i cili ka sjell 11 çmime. Pas dokumentarit të gjatë artistik për Bekim Fehmiun, puna e tij tashmë është e fokusuar te një tjetër projekt me kinemanë. Valmir Tertini është profesor i filmit në “World Academy of Tirana”. Pak kohë më parë regjisori Valmir Tertini u bë anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, një vlerësim për të cilin ka thënë se është një nder për të.
-Një film i ri mbi jetën dhe karrierën e aktori të madh Bekim Fehmiu vjen nga ju si regjisor. Çfarë do t’i tregojë publikut ky dokumentar, të cilin ju e realizoni në vijim të aktivitetit tuaj me kinemanë?
Dokumentari “Bekim Fehmiu” është rrëfimi më adekuat i një aktori të keqkuptuar, pra është e vërteta e tij nga faktet vizive, fjalët e tij, shpjegimet e të afërmve e deri tek pikëpyetjet e krijuara ndër vitesh.
-Në 13- vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar me famë botërore u publikua dhe traileri i dokumentarit artistik në të cilin shfaqet jeta dhe vepra e tij. Por kur pritet premiera?
Në vitin 2010 postuam një video nga puna e bërë deri në atë kohë, ndërsa për 13 vjetorin e ikjes fizike të tij nxorëm trailerin zyrtar të dokumentarit, i plotësuar, në 3 gjuhë dhe i xhiruar në 6 shtete, ashtu siç ishte rrugëtimi i tij. Tani dokumentari “Bekim Fehmiu” merr rrugën nëpër festivale ndërkombëtare për ta shijuar këtë punë të realizuar në kaq vite, fillimisht do kemi një premierë të madhe në Tiranë me të ftuar.
-Më herët ju jeni shprehur se një figurë e keqkuptuar do shpaloset nga njerëzit më të afërt në rrugëtimin e tij….
Fatkeqësisht duhet pranuar këtë, ai është keqkuptuar, sepse nuk jane thënë të vërtetat e tij, mendoj që ai/ajo që ka këtë dyshim duhet me patjetër ta shohë dokumentarin dhe të bindet se kush ishte në të vërtetë Bekim Fehmiu dhe familja e tij, dhe sakrificat e tyre për ruajtjen e identitetit.
-Nga nisi puna juaj si regjisor për këtë dokumentar, si nisi projekti?
Puna nisi direkt pasi Fahri Musliu publikoi monografinë për Bekimin, duke e ideuar një dokumentar artistik të gjatë me intervista, por pa narracion. Adaptimi i librit të kthehet në skenar nga vetë autori dhe unë të bëja regjinë e filmit.
-Ju keni bërë xhirime si në Bosnje, Kroaci, Itali, Kosovë, Shqipëri, etj. Disa nga personazhet që flasin në këtë dokumentar siç keni treguar ju më parë për aktorin e madh Bekim Fehmiu janë Arsim Fehmiu vëllai i tij, bashkëshortja Branka Petriq, aktori Timo Flloko, aktorja Eleonora Giorgi, etj. Çfarë ju ka bërë përshtypje në rrëfimet e tyre. Si vjen Bekim Fehmiu në këto rrëfime?
Në dokumentar rrëfehen shumë figura të njohura, vëllai i tij tregon rrënjët e familjes, Bekimin si fëmijë, si student e deri tek kulmi i tij prej një aktori të njohur ndërkombëtarisht. Branka për dashurinë, për karakterin e tij përkushtimin, ajo qan, qesh e këndon në dy rrëfime ekskluzive njëherë me të folur e pastaj, duke treguar gjësendet e Bekimit në valixhe. Eleonora Giorgi tregon prapaskenat e xhirimeve, por na bën dhe të dyshojmë pak sa. Pastaj kolegët rrëfehen për momente specifike si Timo Flloko, Piro Milkani, Enver Petrovci, Goran Markovic, Roza Anagnosti, Milazim Salihu, etj.
-Bekim Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë, një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, mbetet ndër figurat më të dalluara të kinematografisë shqiptare. Ju vetë si regjisor që merreni me filmin, si e keni parë këtë artist dhe kontributi i tij në kinema?
Bekimi Fehmiu është aktor me plot kuptimin e fjalës, i vërtetë, i futur në rol, madje duke njohur personazhin përtej skenarit. Një aktor, i cili vjen ndryshe në çdo film, me portret unikal, jo rastësisht arriti ato, përkushtimi e bëri të vetën.
-Cila ka qenë vështirësia juaj në realizimin e këtij dokumentari?
Filmi nisi me një punë intensive, pandemia e zgjati atë, pastaj shtrirja nëpër shumë shtete me xhirime është një koordinim në vete. Bekimi si karakter ishte paksa i vështirë, duke menduar që do bëjmë një dokumentar ku nuk do të shfaqet asnjë fotografi kufizohesh shumë. Konsulenti ynë i arkivit Edmond Isufi bëri një punë të jashtëzakonshme kërkimore për anën e filmografisë dhe prapaskenave, kjo na ndihmoi shumë.
-Si u bë i mundur realizimi i dokumentarit nga ana financiare?
Asnjëherë në projektet që kam realizuar si kam menduar fondet, por gjithmonë kam menduar rrëfimin, tregimin vizual, por filmi kishte problemet financiare, fillimisht i refuzuar nga QKK Kosovë, pastaj me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Shqipëri nisëm punën, disa bashki financuan atë dhe organizata edhe pse akoma nuk është rrumbullaksuar shuma fatkeqësisht.
-Pas këtij filmi si po vijon puna juaj me kinematografinë, ku jeni i përqendruar në punën tuaj si regjisor?
Aktualisht po realizoj një film të animuar, i cili quhet “Djepi”. Jam në përfundim të skenarit të gjatë për një film artistik, por do punën e vet.
Intervistoi: Julia Vrapi.