Shumica nuk mund të propozojë, as imponojë, për pakicën.
Në këto pak fjalë u kondensua Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me antikushtetuetshërinë e zgjedhjes së Nenad Rashiqit i cili erdhi me propozim të Vetëvendosjes dhe u votua edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës si Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Ndërkaq Rregullorja e shkruar nga vetë Vetëvendosja në vitin 2022 dhe e miratuar me 2/3 e votave në Kuvend të Kosovës e kishte përcaktuar vetë në tekst të kulluar se propozimi për Nënkryetar kuvendi nga radhët e komunitetit serb vjen nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
Votimi i Rashiqit si Nënkryetar serb i Kuvendit ishte quajtur “historik” nga Vetëvendosja, dhe veç javë më vonë ishte propozuar sërish për ministër në qeveritë në tentativë Kurti 3 dhe Konjufca 1, duke rrënuar “historicitetin” e trumbetuar aq shumë.
Gjykata Kushtetuese vendosi se kjo gjë ishte antikushtetuese; dhe, nuk shkoi gjatë erdhën sulmet nga Vetëvendosje dhe deputetët e saj.
Vetëvendosja reagoi në profilin zyrtar duke pretenduar se ishte vetë Gjykata Kushtetuese që shkeli Kushtetutën dhe “krijoi normë” dhe se ka “inkoherencë” me Aktgjykimet e mëparme.
“Brenda katër muajsh, për të njëjtën çështje kushtetuese, Gjykata ka ndërruar jurisprudencën pa asnjë ndryshim normativ apo faktik”, shkroi Vetëvendosja.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik. Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh”, tha VV-ja.
Agim Bahtiri ishte më toniku, duke u reaguar se Lista Serbe përfaqësin “terrorizmin” dhe jo komunitetit serb të Kosovës. Më tej tha se Vetëvendosja “nuk pranon diktat politik”.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që na imponon përfaqësim nga Lista Serbe është i padrejtë dhe cenon vullnetin sovran të qytetarëve të Kosovës. S’pranojmë diktat politik që minon shtetin dhe demokracinë! Është absurde që nënkryetar i Kuvendit të Kosovës të vjen dikush nga ajo listë që përfaqëson terrorizëm e jo civilizëm”, shkroi Bahtiri.
Pas Bahtirit, i radhls ishte Mefail Bajqinovcit.
“Pesë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese na thënë se nënkryetari duhet patjetër të jetë nga Lista Serbe dhe se, sipas tyre, ky veprim “është në interesin më të mirë të shtetit”. Pra imponimin e deputetëve ta votojnë Listën Serbe e shohin si interes shtetëror!”, shkroi Bajqinovci.
Ndërsa Emilja Rexhepi nga komuniteti boshnjak tha se si grup multi-etnik “nuk e di” nëse do të votojnë për Nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Kjo pasi Akgjykimi i Gjykatës Kushtetutuese saktësosi se propozimi për Nënkryetar serb të Kuvendit duhet të vjen nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, përkatësisht, në këtë rast, nga Lista Serbe.
“Unë, si deputete vazhdimisht i respektoj të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet Kushtetuta. Tash nuk e di se çfarë qëndrimi si grup do ta kemi, por patjetër, si deputetë, duhet ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës”, tha Rexhepi për RTV21.






