Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se e ka përmbyllur sezonin e ngrohjes 2023-2024.
Sipas njoftimit furnizimi me ngrohje ka zgjatur 195 ditë.
“Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonet më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim.
Sipas “Termokosit” në këtë sezon është prodhuar 7 për qind më shumë energji termike se në sezonin e kaluar.
“Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonin e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GWh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GWh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m²”, thuhet në njoftim.
Ky sezon ngrohës thuhet se ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit.
“Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë”, thuhet në njoftim