Së paku 118 persona kanë vdekur e mbi 500 të tjerë janë lënduar nga pasojat e një tërmeti të fuqishëm prej 6,2 shkallësh që ndodhi në provincat veriperëndimore të Kinës, Gansu e Qinghai, raportojnë mediat shtetërore.
Dridhja e fortë ndodhi pak para mesnatës të hënën, duke i nxitur njerëzit që të dilnin nga shtëpitë e tyre, në temperatura nën zero. Raportohet për dëmtim të mijëra shtëpive, raporton gazeta “The Guardian”.
WATCH: CCTV footage of magnitude 6.2 earthquake that killed at least 118 people in northwest China#Earthquake #China #ChinaEarthquake pic.twitter.com/tQZj5fn1w2
— World Times (@WorldTimesWT) December 19, 2023
Numri i të vdekurve u rrit të martën në mëngjes, përderisa punëtorët e shpëtimit po zhvillonin kërkime në zonat e prekura.
Autoritetet në Gansu thanë se 105 kanë vdekur në këtë provincë, ndërsa 397 të tjerë janë lënduar. Në Qinghai u raportua për 13 njerëz të vdekur, 182 të lënduar e 20 të tjerë të zhdukur.
Ky është tërmeti më vdekjeprurës që e ka goditur kinën që nga tërmeti “Yushu” në vitin 2010, që gjithashtu kishte ndodhur në këto dy provinca. Fuqia e tij ishte 6,9 shkallë dhe kishte lënë gati 2.700 të vdekur.
Presidenti kinez, Xi Jinping, bëri thirrje për “përpjekje gjithëpërfshirëse” gjatë punës së kërkim-shpëtimit. Më shumë se tre mijë zjarrfikës janë dërguar në zonat e prekura ose janë vënë në gjendje gatishmërie, ndërsa qindra pjesëtarë të personelit ushtarak janë dërguar në dy provincat e goditura nga tërmeti.
Një zëdhënës në Gansu tha se puna e shpëtimit ishte duke u zhvilluar në mënyrë të organizuar dhe kërkoi nga njerëzit që ta shmangnin shkuarjen në zonat e prekura për ta parandaluar tollovinë në trafik, që do ta pengonte përpjekjen për shpëtim.
Në fotografi e video të publikuara nga një student në Universitetin e Lanzhou-t shihen studentë duke ikur me vrap nga një konvikt dhe duke qëndruar në mjedis të hapur me pallto të gjata mbi pizhamet e tyre.
Rreth 200 milionë juanë (përafërsisht 28 milionë dollarë) janë ndarë nga autoritetet për përpjekjet e shpëtimit e mbështetjes në Gansu e Qinghai.
Mediat shtetërore raportuan se këto fonde u ndanë nga Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave.
Nëndrejtori i Ekipit të Shpëtimit “Qielli i Kaltër” në Gansu u tha mediave lokale se njëra nga arsyet për dëmet e mëdha ndaj infrastrukturës është për shkak se shumë shtëpi në ato zona ishin të ndërtuara me argjilë dhe ishin shumë të vjetra.
Ai shtoi se rreth 70 deri në 80 për qind të shtëpive në zonat e prekura me gjasë tashmë janë të pabanueshme.