Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunën e Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar se është tërhequr nga debatet televizive gjatë garës për balotazh ndaj kundërkandidatit të tij, Halil Thaçi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Gashi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka përdorur për arsyetim “gjuhën denigruese” dhe “të pavërtetat” e Thaçit, duke thënë se është i gatshëm të diskutojë vetëm për programin e tyre qeverisës, shkruan Insajderi.
“Nisur nga përvoja në debatet televizive me përballje të kundërkandidatit, gjuhës denigruese dhe të pavërtetave që thuhen pa u skuqur fare para qytetarëve edhe kur faktet prezentohen përballë kamerave, duke kërkuar mirëkuptimin tuaj deklaroj se tërhiqem nga debatet e këtij niveli me të vetmen arsye mos ofendimin e qytetarëve të mi, të cilët më besojnë e mbështesin tani e 12 vite pikërisht për shkak të transaprencës, besimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit që së bashku i kemi bërë komunës tonë, pa asnjë aferë korruptive e me shumë vende të para e donacione të projekteve madhore e jetike për Obiliqin“, tha ndër të tjera ai.
“Prandaj, nga sot, jam i gatshëm të paraqitem në çdo medium televiziv, përballë analistëve e madje edhe me audiencën e qytetarëve, për të biseduar e prezentuar PROGRAMIN tonë qeverisës 2025/2029, në të cilin qytetarët besojnë e e kanë të qartë se çdo premtim i yni është jetësuar së bashku me ta“, shtoi Gashi.
Xhafer Gashi i LDK’së u bë viral në rrjete sociale pasi që, përgjatë një debati televiziv, nuk ishte në dijeni se partia e tij kishte ngritur kallëzim penal për keqpërdorimet e bëra në konkursin e KEK’ut






