Gjendja e rëndë ekonomike e krijuar nga inflacioni ka bërë që qytetarët të kërkojnë mënyra se si t’i përballen. Njëra prej ideve të kahershme është edhe tërheqja e kursimeve pensionale. Megjithatë ekonomistë kanë ide të kundërta për këtë çështje.
Qytetarët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe joushqimore si pasojë e inflacionit.
Vetëm gjatë gushtit inflacioni sipas Agjencisë së Statistikave arriti në 13%.
Njëra prej masave që u përfol për zbutjen e kësaj gjendjeje, ishte edhe lejimi i tërheqjes së kursimeve pensionale.
Megjithatë për këtë ide ekonomistët ende kanë qëndrime të ndryshme të ndryshme.
Alban Hashani nga Instituti Riinvest thotë se në këto rrethana tërheqja e mjeteve nga trusti nuk kryen shumë punë, teksa ka një ide tjetër.
“Në këto situata ajo çka kërkohet është që të bëhet një masë e targetuar. Pra jo të shpërndahen mjete për të gjithë, por të shpërndahen mjete te ato kategori që kanë nevojë për ndihmë në këto situata nga shteti”, thotë Hashani.
Megjithatë ekonomisti Imer Raçi mendon që tërheqja duhet të lejohet, mirëpo me një kusht.
“Kur të ndodhë tërheqja e trustit duhet të ketë më shumë inspektorë në treg për t’i bërë kontrollin e çmimeve në mënyrë që tërheqja e trustit, pra, paratë që dalin në treg të mos ndikojnë në rritjen e inflacionit, pra të mos ketë rritje të pakontrollume të çmimeve”, thotë Raçi.
Projektligji që do të mundësonte tërheqjen deri në 30 % të kursimeve u hodh në votim në qershor, por nuk mori mbështetjen e mjaftueshme nga deputetët.
Megjithatë qytetarët kanë mbledhur sërish nënshkrime dhe në korrik peticioni me 21 mijë sosh i është dorëzuar Kuvendit.
Kështu që në muajin në vijim pritet që projektligji që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale të hidhet në votim. /Tëvë1/