Menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një 50-vjeçare dhe se në tokën në pronësi të tij, në fshatin Ishëm, Durrës, kishte kultivuar bimë narkotike, njësit e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Perëndimi”, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Sh., 65-vjeç, banues në Ishëm, Durrës.
Ky shtetas, pasi kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase, ishte larguar menjëherë për t’i shpëtuar Policisë, por pas kontrollit të zonës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij, njofton Policia e Shtetit.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 65-vjeçarit, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe kanë asgjësuar 28 bimë të dyshuara narkotike kanabis të kultivuara në oborrin e banesës së këtij shtetasi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme, për veprat penale – marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura, mbetur në tentativë, për prodhim dhe shitje e narkotikëve, si dhe kultivimi i bimëve narkotike.