Tentimi i katërt për konstituimin e Kuvendit që do të ndodhë të hënën, ka drojë se do të ketë skenarin e njëjtë sikur herët e kaluara.
Seanca e mbajtur të shtunën, u bllokua sërish, pas dështimit dy herë radhazi për ta zgjedhur, kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, kryetare të Kuvendit.
Sipas analistit Afrim Kasolli, bllokimi i konstituimit të Kuvendit do vazhdojë edhe më tutje.
“Unë jam pesimist që do mund të zhbollokohet situata në Kuvendit e Kosovës, do të vazhdojë kjo gjendje ky institucion nuk do të mund të konstituohet në kuptimin e mirëfillt të fjalës sepse nuk konsiderohet i konstituuar vetëm me verifikimin dhe betimit nga deputetët, por vetëm kur zgjedhjet kryetari dhe kryesia..”, ka thënë Afrim Kasolli – Analist.
Kasolli thotë se Vetëvendosja, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, është duke fituar kohë me situatën e krijuar.
“Nominimi i Albulena Haxhiut ishte një eksperiment politik vetëm sa për të blerë kohë dhe derisa të gjendet një marrveshje politike, për siguruar numrat e mjaftueshem per formimin e qeverisë që po ashtu nevojiten 61 numra ashtu sikurse kryeparlamentarin..”, ka thënë Afrim Kasolli- Analist.
Nëse partia e Albin Kurtit vepron edhe të hënën siç ka paralajmëruar për ta propozuar sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, seanca, sipas analistes tjetër, Magbule Shkodra, do të bllokohet sërish.
“Po besoj që kjo situatë nuk do të mund të shtyhet pafundësisht ndoshta maksimumi edhe dy herë dhe patjetër që duhet të gjendet një mundësi që ti drejtohen presidentes, e cila pastaj duke u thirrur në atë që po bllokohen institucionet e shtetit pra po bllokohet formimi i institucioneve të shtetit mund të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese…”, ka thënë Magbule Shkodra- Analiste.
Pas dy dështimeve, të shtunën, deputetët e miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, derisa 120 deputetët e zgjedhur dhanë betimin e tyre. /Dukagjini/