Një përleshje fizike mes disa të rinjve në fshatin Qirez të Skenderajt ka përfunduar me një tentim vrasje. Një 19-vjeçar, F.Xh., dyshohet se ka therur gjashtë herë me thikë një bashkëmoshatar, E.K., pas një konflikti të mëhershëm mes tyre.
Rasti ndodhi mbrëmjen e 5 qershorit, rreth orës 21:20, dhe u raportua fillimisht nga një qytetar, ndërsa QKMF në Skenderaj njoftoi për pranimin e një të plagosuri nga therja me thikë. Viktima u transferua fillimisht në Spitalin e Mitrovicës e më pas në QKUK për trajtim, për shkak të plagëve të rënda, raporton Sinjali.
Policia në vendin e ngjarjes gjeti një thikë që dyshohet se u përdor në sulm, një pjesë pushke gjuetie, shkop druri dhe bisht lopate, të cilat janë sekuestruar si prova.
I dyshuari, që gjithashtu ka pësuar lëndime, u arrestua dhe është ndaluar për 48 orë. Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”. Një dëshmitar ka deklaruar se gjatë incidentit është kanosur me armë zjarri, por Policia nuk ka gjetur gëzhoja në vendin e ngjarjes.
Klankosova.tv ka tentuar të marrë një përgjigje nga QKUK lidhur me rastin, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.