Përmes komunikatës për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e pasdites, disa persona kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë një zyrtar policor ka pësuar lëndime.
Gjithashtu, njoftohet se disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, kanë vazhduar angazhimet në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave të cilat janë mbajtur edhe sot pranë komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Fillimisht protesta ishte e qetë, por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.
Po ashtu gjatë protestës së realizuar sot, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit.
Ne jemi të përkushtuar të hetojmë këto akte kriminale dhe të parandalojmë shfaqjen e dhunës. Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë protestuesve që të përmbahen nga dhuna dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore.