Tensionet në Lindjen e Mesme prekin futbollistët shqiptarë: Disa largohen, të tjerë duan paqe

- Advertisement -
Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të fundit të zrael ndaj Iran dhe kundërpërgjigjeve që kanë prekur rajonin, ka ndikuar drejtpërdrejt edhe te futbollistët me rrënjë shqiptare që aktivizohen në këto vende.

Ndeshjet futbollistike janë pezulluar në disa kampionate, ndërsa klubet kanë marrë masa për sigurinë e lojtarëve të huaj. Disa prej tyre janë larguar përkohësisht, ndërsa të tjerë po presin zhvillimet e radhës.

Janë pesë lojtarë që luajnë në këto rajone: Jasir Asani, David Domgjoni, Emir Sahiti, Mario Mitaj dhe Eraldo Çinari.

Asani: Shpresoj që të ketë paqe për të gjithë

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani, i cili aktivizohet në Iran me Esteghlal FC, ka reaguar përmes një mesazhi publik.

“Përshëndetje të gjithëve! Jam mirë dhe shpresoj që edhe ju të jeni mirë, të sigurt dhe të lumtur në vendin tuaj të bukur. Shpresoj që gjithçka të kthehet së shpejti në normalitet dhe që të ketë paqe për të gjithë”, ka shkruar Asani nga Irani.

Ai ka tash e një vit që luanë në elitën e futbollit Iranian, vend që e ka pezulluar futbollin dhe ndeshja e Esteghlal FC që ishte në plan të luhet të dielën është shtyrë.

“Situata është vërtet shqetësuese” – Sahiti largohet nga Izraeli

Nga ana tjetër, reprezentuesi i Kosovës, Emir Sahiti, që luan për Maccabi Tel Aviv, ka treguar se klubi i ka liruar lojtarët e huaj pas pezullimit të kampionatit në Izrael.

Në një lidhje telefonike për Sports Show në Klan Kosoa, Sahiti ka rrëfyer momentet e fundit, pasi tensionet janë rritur.

“Të gjitha ndeshjet futbollistike janë pezulluar. Klubi na ka liruar neve, lojtarëve të huaj. Të gjithë jemi me familjet tona – unë jam me gruan dhe fëmijën – dhe momentalisht ndodhemi në autobus duke udhëtuar drejt Egjiptit. Nga Egjipti do të fluturojmë për në Athinë, sipas udhëzimeve të klubit”, deklaroi ai.

Ai shtoi se situata ka qenë e tensionuar, duke rrëfyer momentet e bombardimeve.

“Kemi qëndruar kryesisht brenda dhe jemi këshilluar që, sa herë të bien sirenat, të futemi menjëherë në ambiente të mbyllura. Ka pasur shumë raketa, por fatmirësisht shpërthenin në ajër dhe nuk binin në tokë. Situata është vërtet shqetësuese, sidomos për ne të huajt”, deklaroi Sahiti.

Sahiti bëri të ditur se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e Kosovës, e cila e ka këshilluar që gjatë udhëtimit, nëse dëgjohen sirena apo diçka e dyshimtë, të zbresin nga autobusi dhe të shtrihen në tokë për siguri.

Sahiti këtë afat kalimtar ka kaluar nga Hamburgu te Maccabi Tel Aviv, ku e nisi shumë mirë aventurën te klubi izraelit me 4 gola në 5 ndeshje.

Në pritje të zhvillimeve

Në Izrael aktivizohet edhe mbrojtësi kosovar David Domgjoni me Hapoel Jerusalem, ndërsa në Arabinë Saudite luajnë Mario Mitaj me Al-Ittihad dhe Eraldo Çinari me Al-Jabalain FC.

Deri tani nuk raportohet për incidente që i kanë prekur drejtpërdrejt këta futbollistë, por situata në rajon mbetet e paqëndrueshme dhe klubet po monitorojnë nga afër zhvillimet.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë krijuar pasiguri të madhe në Lindjen e Mesme, duke ndikuar jo vetëm në aspektin politik e ushtarak, por edhe në sport, ku siguria e lojtarëve është kthyer në prioritet absolut.

Të ngjashme

Të fundit