Ish-nënkryetarja e Prishtinës e shkarkuar nga kryetari Përparim Rama, Donjeta Sahatçiu ka reaguar pas raportimit për anulimin e tenderit të dyshimtë për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore në kryeqytet.
Pak ditë para se të shkarkohej nga pozita me vendim të Ramës, Sahatçiu pati njoftuar se nuk ka pranuar ta nënshkroi dokumentin që ky tender të shkonte përpara. Ky veprim i saj, pasoi me shkarkimin e saj.
Dy ditë pas raportimit të Insajderit lidhur me tenderin në fjalë, Sahatçiu tha se realiteti u shpërfaq.
“Në një mënyrë apo tjetër, realiteti shpërfaqet.. Këto 24h kam pranuar dhjetra mesazhe e thirrje në lidhje me artikullin analizë të Insajderit mbi anulimin e tenderit për digjitalizim në arsim, për të cilin pata deklaruar se nuk kam pranuar t’a nënshkruaj të shpallet për arsyet e dhëna, e më pas erdhi edhe shkarkimi im.“, tha ajo.
Ajo tha se është lajm i mirë që u anulua tenderi sepse nuk do të duhej të shpallej ndonjëherë në atë mënyrë.
“Lajmi për anulimin e tenderit është i mirë sepse as nuk do të duhej të shpallej ashtu ndonjëherë. Ishte e dhimbshme të dije se një projekt i nisur asisoji do të dështonte herëdokur. Pak ka rëndësi se doli ashtu siç e kisha thënë. Edhe më pak ka rëndësi se si arsyetimi i ndërtuar për shkarkimin tim u shemb vetvetiu. Kemi ende shumë për të parë e folur, por çdo gjë në kohën e vet.“, shkroi Sahatçiu.
Tutje, ish-nënkryetarja tha se ky tender nuk duhet të rishpallet njësoj, por të merren veprimet e nevojshme sipas ligjit.
“Tash e rëndësishme është vetëm e vetëm që ky tender mos të rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet. E për ta bërë qysh duhet, dua të besoj se ekziston vullneti për të shtyrë përpara një proces digjitalizimi gjithpërfshirës që veçse kishte nisur mirë e është qëndisur gjatë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është vazhdimësi e hipokrizisë.“, ka shkruar ajo në Facebook.
Të premten, Komuna e Prishtinës e ka anuluar tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore.
Ky tender kishte vlerën mbi 300 mijë euro. Për anulimin e tenderit në fjalë, komuna e drejtuar nga Përparim Rama tha se arsyeja ishte që kompanitë ‘nuk ofruan materiale mësimore konform kërkesave të tenderit’.
“Komuna e Prishtinës rekomandon anulimi e aktiviteti : Gjate vlerësimit të ofertave kemi pa që ofertuesit nuk kanë ofruar materiale mësimore konform kërkesave te kurrikules se re të Republikës së Kosovës andaj si anëtar i komisionit vlerësuar rekomandoj që të anulohet ky aktivitet i tanishëm dhe të rishpallet prap me kërkesat me specifike”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Visar Shehu, shef i tenderëve në Prishtinë.
Për këtë tender, siç pati raportuar Gazeta Insajderi, në garë ishin tetë kompani dhe shtatë nga to kanë ofertuar në të dyja lotet, siç është ndarë tenderi kurse vetëm një kompani ka ofertuar vetëm në një pjesë të tij.
Vërejtje për këtë tender u dhanë edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)