Në fillim të këtij muaji, kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga disa ministra në detyrë, por edhe anëtarë të partisë së udhëhequr prej tij, Lëvizjes Vetëvendosje, hodhën gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, disa minuta larg kryesores. Përfundimi i punimeve për këto dy ura u paralajmërua se do të jetë vjeshta. Megjithatë, koha e punimeve të tyre është shqetësimi më i vogël i ekzekutivit në detyrë, kjo pasi që si fillimi i ndërtimeve ashtu edhe ndarja e projektit për to, e thënë më së buti, kanë marrë vëmendje të padëshirueshme, shkruan Gazeta Express.
Së pari, sigurisht, ideja dhe fillimi i punimeve s’u prit fare mirë nga aleatët kryesor të shtetit të Kosovës, pasi që ata kundërshtuan ndërtimin e tyre. Nga ana e Bashkimit Evropian, në deklarimin e tyre për Express, kërkonin që diçka e tillë të bëhej me ‘‘kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse’’. Si BE-ja, u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde. Madje, ky i fundit këshilloi qeverinë në detyrë që të investojë në arsim dhe sigurime shëndetësore, duke adresuar kështu ‘‘sfida shumë më urgjente’’.
Bashkë me kritikat, në media doli edhe tenderi për ndërtimin e këtyre dy urave. Dhe sigurisht, si shumë të tjerë, u kuptua që edhe tenderi në fjalë doli të ishte i negociuar.
Tenderi në fjalë, u morr vesh që është negociuar për 3 milionë euro, dhe se i njëjti i është dhënë ‘‘“EUROKOS HOLDING” SH.P.K.
Rreth kësaj, 10 ditë pas fillimit të punimeve, prokuroria speciale njoftoi se ka nisur një hetim në lidhje me ligjshmërinë e kontratës për ndërtimin e këtyre dy urave të reja. Nga njoftimi i prokurorisë u tha se hetimi nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj ndërtimit të urave në fjalë, por me “përmbushjen e detyrimeve ligjore” të kontratës për ndërtimin e tyre.
Madje, nga Prokuroria Speciale, u tha se nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, kjo prokurori i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore.
Menjëherë pasi që ky njoftim u bë i ditur, deputetë e përkrahës të partisë së VV-së u hodhën në sulm ndaj Prokurorisë Speciale.
Ndër ta, është Agim Bahtiri. Deputeti që njihet për huqjet e shpeshta, sulmoi Blerim Isufjan, duke thënë se ky i fundit po e përdor zyrën e kryeprokurorit si mjet frikësimi politik.
‘‘Blerim Isufaj po e përdor zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit si mjet për frikësim politik, jo si armë kundër krimit. E keqja nuk është që nuk po arreston kriminelët serbë, e keqja është që po e ndihmon heshtur krimin e tyre, duke e zhvendosur vëmendjen te ndërtimi i urave në Mitrovicë! Ti je në pozitën ku do duhej të luftoje për interesin shtetëror, jo ta godasësh atë. Dhe kur një prokuror bëhet pengesë e ndërtimit, ndërkohë që hesht për shkatërrimin, ai nuk është më në shërbim të drejtësisë, ai është në shërbim të agjendave të errëta’’, shkroi mes tjerash ai.
Pas tij, ka reaguar edhe deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, duke thënë se po tentohet që të ndalohet ndërtimi i urave.
‘‘Me urdhër të Blerim Isufajt ka nisur hetimi për ndërtimin e urave të reja në Mitrovicë. Urat që lidhin jugun me veriun po ju pengojnë. Nuk arritën ta ndalojnë shtrirjen e rendit në veri, dhe tani po tentojnë të ndalojnë ndërtimin e urave. Qe pse duhet me vazhdu Qeveria Kurti 3’’, ka shkruar ajo.
Pos këtyre, deputeti tjetër që ka reaguar lidhur me këtë çështje, ka qenë pashmangshëm edhe Dimal Basha.
Deputeti Basha, e konsideroi si ‘‘të rrezikshëm’’ dhe ‘‘të turpshme’’ që prioritet i sistemit të drejtësisë po bëhen urat.
‘‘Sipas raportimeve, me urdhër të Blerim Isufajt ka nisur hetimi për ndërtimin e urave të reja në Mitrovicë. Pra po thuhet se njeriu që i ka tërhjek Radojçiçit fletëarrestin, po e trajton ndërtimin e urave si çështje penale! Si përfaqësues i popullit, e konsideroj të rrezikshme dhe thellësisht të turpshme që prioritet i sistemit të drejtësisë po bëhen urat e Kosovës, e jo kriminelët e Serbisë!’’, ka shkruar ai.
Ndërsa sot, valës së reagimeve ju shtua edhe deputeti Arber Rexhaj.
Ky i fundit tha se kundër ndërtimit të këtyre urave janë edhe disa individë në Prishtinë.
‘‘Pasi nuk pati sukses peticioni i Listës Serbe, u aktivizua Prokuroria Speciale në Prishtinë. Kur të ndërtohen ura duhet te vendoset diku një pllakatë ku thuhet se kundër ndërtimit tyre ishin edhe disa individë në Prishtinë’’, shkroi ai.
Këto sulme të shumta u bënë ndaj prokurorisë edhe pse, u qartësua se Prokuroria Speciale nuk e ka në kompetencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.