Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj ka postuar një video të një aksioni të aktivistëve të kësaj partie.
Gjatë edicionit të lajmeve qendrore në RTK, PSD ka shfaqur një pankartë mbrapa moderatores me mbishkrimin “Televizioni i Kurtit”.
Kujtojmë që dje si drejtor i RTK-së u emërua aktivisti i shquar i Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla.
Njoftimi i Dardan Molliqajt:
Radio Televizioni i Kurtit
Lajmet e televizionit publik tash e tutje janë lajmet e partisë. Redaksia tash është Qeveria. Policia nuk është më veç në rrugë. Ajo vjen përmes filtrave të censurës. Garanton Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, i deleguar nga Partia-Shtet.
Emërimet partiake nëpër ndërmarrje e agjenci janë bërë pjesë e përditshmërisë. Por, ky nuk është emërimi i radhës. Me këtë emërim pushteti na hyn nëpër shtëpi. Për të na treguar si duhet t’i kuptojmë veprimet e tij. Por, qytetarët tanë e kanë kaluar, dhe nuk do të kthehen me në kohërat e errëta ku jeton ky regjim. Liria do t’i gjejë rrugët e saj.