7.9 C
New York
Wednesday, April 16, 2025

Buy now

“Telegraph”: BE-ja do ta bllokojë Serbinë nëse Vuçiqi merr pjesë në paradën e fitores së Putinit

- Advertisement -

Serbia mund të bllokohet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian nëse presidenti i saj udhëton në Rusi muajin e ardhshëm për paradën e Ditës së Fitores së Vladimir Putinit.

Media shtetërore ruse raportoi se Alleksandar Vuçiq do të ishte një nga personalitetet e huaja të pranishëm, si dhe do të kontribuonte me pajisje ushtarake në spektaklin e 9 majit, raporton “The Telegraph”.

Në përgjigje, zyrtarët evropianë e paralajmëruan Vuçiqin se vizita e tij do të ishte një shkelje e kritereve të anëtarësimit të bllokut dhe do të prishte ambiciet e vendit të tij për në BE.

“Ne duhet të sigurohemi që ata të kuptojnë se disa vendime kanë një kosto”, tha Jonatan Vseviov, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë. “Pasoja është mos anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian”.

Ai shtoi: “Rusët kanë punuar shumë për t’i bërë njerëzit të marrin pjesë… Për ne kjo do të jetë një provë e rëndësishme lakmusi. Në thelb ajo që ne po shohim është nëse ata janë apo jo në anën tonë ose duke luajtur në ekipin tjetër”.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Serbia ndodhet në një udhëkryq politik mes ruajtjes së marrëdhënieve tradicionale me Rusinë dhe përpjekjeve për t’u afruar me BE-në.

Kaja Kallas, kryediplomatja e jashtme e bllokut, tha se ministrat e jashtëm të BE-së kishin diskutuar për vendet anëtare të mundshme që merrnin pjesë në ceremoninë në Moskë, në një mbledhje të hënën.

“Ajo që u diskutua gjithashtu shumë qartë dhe u tha nga vende të ndryshme anëtare, është se çdo pjesëmarrje në paradat apo festimet e 9 majit në Moskë nuk do të pranohet lehtë nga pala evropiane, duke pasur parasysh se Rusia me të vërtetë po bën një luftë në shkallë të gjerë në Evropë”, u tha ajo gazetarëve pas takimit.

Kallas është detyruar të paralajmërojë anëtarët e tjerë të BE-së që të mos marrin pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores së Putinit, e cila këtë vit shënon 80-vjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Sllovakia, një vend i BE-së me lidhje të ngushta me Moskën, është ftuar gjithashtu në veprimtarinë muajin e ardhshëm.

Robert Fico, kryeministri sllovak, tha vitin e kaluar se do të merrte pjesë dhe është një nga liderët e paktë të bllokut që është takuar me Putinin në më shumë se tre vjet që kur ai nisi pushtimin e Ukrainës.

Viktor Orban i Hungarisë, i cili konsiderohet aleati më i ngushtë i Putinit në Evropë, nuk do të marrë pjesë.

Kallas tha: “U kam bërë thirrje gjithashtu të gjitha vendeve anëtare, por edhe përfaqësuesive të institucioneve që të vizitojnë Kievin sa më shumë që të jetë e mundur për të treguar vërtet solidaritetin tonë dhe se jemi me Ukrainën”.

Të ngjashme

Të fundit