Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Zeqiri me rastin e ndarjes nga jeta të Xhafer Zeqirit, i cili ka dhënë “një kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin e Kosovës, veçanërisht si gjyqtar gjatë periudhës së mëvetësimit e sakrificës, e më vonë edhe në role të tjera të rëndësishme në ndarjen e drejtësisë në fushën e gjelbër”.
Telegrami i plotë:
E nderuara familje Zeqiri,
Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të personit tuaj më të dashur dhe njërit prej kontribuesve të mëdhenj të futbollit të Kosovës, Xhafer Zeqiri. Prandaj, ju lutemi t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit të Kosovës në përgjithësi.
Xhaferi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin e Kosovës, veçanërisht si gjyqtar gjatë periudhës së mëvetësimit e sakrificës, e më vonë edhe në role të tjera të rëndësishme në ndarjen e drejtësisë në fushën e gjelbër.
Puna e tij e palodhshme, profesionalizmi, guximi dhe autoriteti që shfaqi në fushë mbeten një model frymëzues për gjeneratat e reja të gjyqtarëve.
Trashëgimia që la pas në historinë e futbollit të Kosovës është e pashlyeshme, veçanërisht kontributi i tij gjatë kohës më të vështirë të pavarësimit, kur përballë presioneve të pushtuesit serb, ai vazhdoi të mbrojë futbollin si një shtyllë e rëndësishme e ndërtimit të shtetit.
Në këto momente të dhimbshme për ju si familje, të gjithë ne jemi pranë jush, duke ndarë së bashku dhembjen për humbjen e Xhaferit dhe duke ju mbështetur që këtë dhimbje ta përballoni sa më lehtë.
Familja humbi më të dashurin, ndërsa futbolli dhe shoqëria humbën një figurë të madhe me vlera të larta njerëzore e profesionale.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Xhafer Zeqirin!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së