26.3 C
New York
Sunday, August 24, 2025

Buy now

Telefon, USB dhe uniforma ushtarake – çfarë u gjet në shtëpinë e të arrestuarit për sulmin ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan?

- Advertisement -

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj 2023 në Zveçan.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka dhënë detaje shtesë rreth arrestimit të të dyshuarit Lj.M.

Sipas njoftimit i dyshuari i cili punon dhe qëndron në Serbi, është ndaluar pasi që kishte hyrë në Kosovë nga Serbia.

Arrestimi u bë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale.

“Sot, me datë 24 Gusht 2025, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacion se personi i dyshuar Lj. M, i cili dyshohet se ka marr pjesë aktive në rastin e sulmit ndaj KFOR-it dhe Policisë të datës 29.05.2023 para objektit të komunës në Zveçan, ka hyrë nga Serbia në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në shtëpinë e të dyshuarit në komunën e Zveçanit janë zhvilluar bastisje me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, ku janë sekuestruar disa prova materiale.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një ‘maicë’ me mbishkrim nacionalist të cilën dyshohet se e ka pasur të veshur ditën kritike”, thuhet në komunikatë.

Policia thekson se masa e ndalimit është ndërmarrë për shkak të “peshës së veprave të kryera dhe rrezikut potencial për arratisje, pasi që i dyshuari punon dhe qëndron në Serbi, si dhe mundësinë për manipulimin apo zhdukjen e provave”.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe përkthyesit, ndërsa me vendim të Prokurorit Special është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Poashtu me vendim të prokurorit është inicuar rasti për veprat penale: ‘Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’, ‘Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm’”, thuhet në njoftim.

Hetimet ndaj të dyshuarit janë në zhvillim dhe pritet që Prokuroria Speciale të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Të ngjashme

Të fundit