Komunës së Prishtinës i ka dal sërish telashe me festivalin Sunny Hillit, kjo pasi Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e këtij festivalit në Gërmi.
Kështu ka bërë të ditur Grupi “Qytetarët Aktivë” përmes një njoftimi ne Facebook.
“Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim sot me datën 28.07 ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e festivalit Sunnyhill në Peizazhin e Gërmisë. Qytetarët Aktivë kanë adresuar ankesën tek Drejtoria e Inspektimit në KK Prishtina dhe Departamenti për Inspektim për Mjedis në MMPHI për veprim urgjent të ndalohen të gjitha veprimet nga ky festival i cili nuk ka as pëlqim nga Drejtoria e Parqeve dhe as leje adekuate dhe të respektohet ligji për mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit”, thuhet në përshkrimin që ky grup ia ka bërë njoftimit të Drejtorisë.
“Bazuar në nenin 53 pika 1 të Ligjit nr. 05/L-031 bëhet revokimi i pëlqimit nr. 07-353-/04-146960/22, me qëllim që lënda të trajtohet dhe plotësohet në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës nr. 03/L-233, si dhe rëndësisë kulturore të Festivalit Sunny Hill”, thuhet në vendimin e Drejtorisë për shërbime publike, mbrojtje dhe shpëtim në Komunën e Prishtinës.