5.9 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Teknik apo politik – Çfarë thotë Kushtetuta për rolin e kryetarëve të komunave?

- Advertisement -

Legjitimiteti i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut nuk është kontestuar pothuajse nga asnjë partner ndërkombëtar. Madje, mbajtjen e tyre e kanë përkrahur të gjithë, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania e kështu me radhë.

Por, për shkak të bojkotit të tyre nga Lista Serbe dhe pjesa më e madhe e popullsisë serbe në ato komuna, ka bërë që ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të flas edhe për kompetencat e kryetarëve të rinj.

Ai ka thënë se ShBA-të, presin që kryetarët e sapozgjedhur të kenë rol teknik dhe jo politik, me arsyetimin se situata në atë pjesë nuk duhet të tensionohet.

“Ne presim që kryetarët të luajnë një rol teknik dhe jo politik dhe të marrin veprime që nuk shihen si eskalim i situatës, ne presim mbështetjen e Qeverisë në këtë drejtim…”, kishte deklaruar ai.

Lidhur me këtë çështje profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se kryetarët e komunave nuk mund të kenë rol tjetër përveç se atë që e përcakton Kushtetuta e vendit.

Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu

Baraliu për portalin Dukagjini, ka thënë se kompetencat e kryetarëve të komunave nuk mund të jenë teknike, ato sipas tij mund të jenë teknike vetëm nëse japin dorëheqje dhe mbesin kryetarë në detyrë.

“Ata nuk mund të kenë një rol tjetër përveç rolit që kanë me kompetencë me përgjegjësit e Kushtetutës dhe ligjit përkatës në përgjegjësitë e qeverisjes lokale. Pra, ato të tjerët janë mendimet e dikujt, por njerëzit nuk mund të paracaktojnë fuqitë dhe përgjegjësitë e dikujt siç mendon dikush tjetër”, ka thënë ai.

“Është thjesht diçka personale që njeriu shpreh mendimin e tij dhe opinioni mund të shprehet lirisht nga kushdo në vend. Mirëpo, roli i kryetarit të një komune është përcaktuar saktësisht dhe kompetencat nuk janë teknike, janë teknike kur është dorëheqje, ka pasur dorëheqje dhe tani kanë ardhur kryetar të tjerë dhe nuk është një çështje që duhet interpretuar në këtë mënyrë”, ka vijuar Baraliu.

Njëjtë mendon edhe ministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, i cili në RTV Dukagjini, ka deklaruar se kryetarët e komunave veriore do t’i kenë të gjitha kompetencat e parapara me Kushtetutë.

“Çka është e rëndësishme, është që të gjithë kryetarët e tjerë dhe Atiqi do të ushtrojnë të gjitha kompetencat e parapara me kushtetutë dhe ligjet aplikative, keni parasysh që komuna e Mitrovicës së Veriut ka të drejta të deleguara shtesë, janë nën përgjegjësinë e atij, dhe kjo është e rëndësishme dh ne si Qeveri jemi në mbështetje të implementimin të mandatit të tij”, ka thënë Krasniqi.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Kurse sa i përket betimit të kryetarëve të komunave veriore, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, u shpreh se në veri të vendit ligji duhet të funksionoj njëjtë sikurse në pjesët e tjera të Kosovës.

Tahiri ka thënë se duhet të krijohen kushte në mënyrë që të mos kontestohet rendi Kushtetues i Kosovës.

“Kërkesa jonë është që çdo gjë të bëhet sipas rendit kushtetues, nuk mendojmë se duhet të improvizohet në betimin e kryetarëve të komunave, betimi të jetë ashtu siç e parashikon kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Është e rëndësishme që institucionet tona kushtetuese, qofshin ato të prokurorisë, policisë, MAPL-së, të krijojnë kushte që bandat kriminale të mos cenojnë rendin tonë juridik kushtetues. Është e rëndësishme që gjithçka të jetë në përputhje me rendin tonë kushtetues”, ka deklaruar Tahiri sot në një konferencë për media.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.

Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.

Dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind dhe nuk u raportua për ndonjë incident.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit