Kurti duke pranuar që të hetohen “krimet” deri më 31 dhjetor 2000, 1 vit e gjashtë muaj pas përfundimit të luftës së Kosovës, tejkaloi atë që njihet si kohë e luftës dhe e bëri të barabartë Kosovën dhe Serbinë, shkruan Demokracia.com.
Kurti pas takimit të 6 prillit kishte thënë se në tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan më 4 prill, përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.
“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi, i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra, edhe atëherë kur do të deklarohet do të thuhet ‘persona të pagjetur’, ‘të zhdukur’, ‘që mungojnë’, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”, tha ai atë ditë.
Heqjen e termit “të zhdukur me dhunë”, Serbia e ka paraqitur si triumf.
Petar Petkoviq, siç raportojnë mediat në Serbi, ka thënë se një letër e nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila mbron shtetin e Serbisë i ishte bashkëngjitur Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Është miratuar teksti i deklaratës për personat e zhdukur, për të cilin paraprakisht është rënë dakord në nivel teknik. E rëndësishme është se para miratimit të tekstit të deklaratës është bashkangjitur edhe një deklaratë e nënshkruar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ku janë sqaruar çështje të rëndësishme në lidhje me termin e përmendur në Deklaratën për Personat e Zhdukur. Kjo deklaratë konfirmon se ne kemi mbrojtur interesat e shtetit të Serbisë kur është fjala për këtë çështje”, tha Petkoviqi.
Tutje, ai theksoi se shteti i Serbisë për më shumë se dy vjet ka insistuar në miratimin e kësaj deklarate, duke shtuar se Kosova ka qenë ajo që gjatë gjithë kohës ka penguar dhe ajo e cila nuk dëshiron që të arrihet marrëveshje “sepse insiston në termin ‘enforced disappearance’, që është konstrukt juridik, pra termi i përcaktuar në pikën 2 të Konventës Ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme”.
“…qëllimisht kanë insistuar në këtë term në mënyrë që të mund t’i referohen atij dhe të kërkojë përgjegjësi nga Beogradi kur bëhet fjalë për zhdukje të dhunshme. Ne nuk ramë dakord me atë term. Kjo është nënvizuar qartë në këtë deklaratë. Ne tashmë jemi pajtuar dhe kemi rënë dakord dhe ajo që ka hyrë në tekstin e deklaratës është termi ‘i zhdukur nën detyrim’. Ky nuk është një konstrukt ligjor dhe nuk përfshin asnjë përgjegjësi të shtetit serb në kuptimin juridik, por vetëm tregon rrethanat në të cilat një person apo person i caktuar është zhdukur”, ka theksuar Petkoviqi.
Nuk dihet pse Kurti e ka pranuar termin “të zhdukurit me forcë” në raport me përgjegjësitë e Kosovës kur dihet se të zhdukurit me forcë mund ta bëjnë vetëm strukturat shtetërore.