Pavarësisht se Kosova ende nuk e ka të obliguar shërbimin ushtarak, të rinjtë kosovarë janë shprehur të gatshëm që në rast se do të bëhej ky kusht, ata do t`i përgjigjeshin pozitivisht kësaj kërkese, shkruan RTK.
Redona Rexhepi nga Podujeva, pothuajse për asnjë moment nuk e largon nga trupi këmishën e babait të vet që dikur e përdorte si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo e mban atë me shumë krenari.
Megjithëse nuk ka qenë e lindur në luftën e fundit në Kosovë, ajo fort mirë e di historinë e para më shumë se dy dekadave.
Ajo tregon nga ajo që ka mësuar për gatishmërinë e babait që t’i shërbejë atdheut .
“Jam shumë krenare me babin që edhe ai pa hezituar ka pranuar të shkojë të luftojë për vendin e vet dhe sot jemi ku jemi…”, tha Redona Rexhepi, nxënëse.
Ndonëse është vetëm 17 vjeçe ajo thotë se të njëjtat hapa sikurse i kishte ndjekur babai i saj para 25 vjetësh, është në gjendje t`i ndjekë edhe ajo.
Madje nëse i kërkohet ndonjëherë që të bëhet pjesë e ushtrisë së Kosovës ajo do ta bënte pa asnjë hezitim.
“Pa problem, duke u nisur prej faktit që edhe babin e kam pas ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa hezitim do të shkoja edhe unë..”, thotë ajo.
Ata që sapo kanë diplomuar në Fakultetin e Historisë, më së miri e dinë nëpër çka kaluar Kosova.