Ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, është liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës e cila e ka gjetur të pafajshëm Rikallon, i cili fillimisht nga shkalla e parë ishte dënuar me 3 vite burg për veprën penale e cila i vihej në barrë.
Bashkë me Rikallon, nga akuzat është liruar edhe Kapllan Halimi, që ishte sekretar në këtë ministri.
Ankesa e mbrojtësve të akuzuarve N.R dhe Kaplan Halimi të paraqitur nga mbrojtësit e tyre, janë të bazuara, dhe të akuzuarit lirohen nga akuza, siç është cekur më lart, kurse ankesa e Prokurorisë lidhur me pjesën liruese është e pabazuar, ndërsa pretendimet për vendimin mbi dënim për pjesën dënuese mbesin jo lëndore”, ka theksuar Apeli në vendimin e tij.
Sipas apelit, pretendimet e prokurorisë, më pas edhe të gjykatës në shkallë të parë, se të akuzuarit Rikallo e Halimi kanë dashur t’i mundësojnë kompanive përfitim të kundërligjshëm e dëm buxhetit të shtetit, mbesin veç në dritën një situatë hipotetike dhe jo reale.
“Nën dritën e rrethanave konkrete të çështjes, Kolegji çmon se nga provat e zbatuara, të trajtuara dhe analizuara si në mënyrë inidividuale, në lidhshmërinë tyre reciproke si dhe në unitetin e përgjithshëm nuk mbështesin përfundimet e gjykatës së shkallës së parë: “…që të akuzuarit në kundërshtim me ligjin për B.. dhe Zh.Rkanë hartuar programin e veçantë, i cili kishte për qëllim që t’i mundësonte përfitimin në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: Konzorciumin “N…” sh.p.k., Konzorciumin “Dh…” sh.p.k., Konzorciumin “D…..”, dhe Konzorciumin NTP “A..E” për fitimin e granteve duke i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës dëm në vlerë prej ………….. euro”, si rrjedhojë nga rezultati provues nuk është konstatuar ekzistimi i ndërlidhjes në mes së veprimeve të akuzuarave se kishin për qëllim për të i’u mundësuar përfitim të kundërligjshëm këtyre kompanive, si pasojë një konkludim i tillë në aktgjykimin e atakuar ka mbetur në nivel hipotetik”, thotë tutje Apeli në aktgjykim.
“Përfundimisht, aktgjykimi i atakuar është i paqëndrueshëm nga këndvështrimi i të provuarit, të gjeturat e gjykatës së shkallës së parë janë të pambështetura në prova dhe faktet e konstatuara, si të tilla janë hipotetike, që shfaqen me rastin e nxjerrjes së konkluzionit se të akuzuarit me veprimet e tyre kishin qëllim të përfitonin personat e tretë. Në këtë situatë faktike, nuk mund të zbatohet dispozita materiale pasi që tiparet subjektive të veprës penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRKsë, kanë mbetur të paprovuara, andaj nuk mund të zbatohet dispozita materiale e cituar e ligjit penal”, thekson tutje Apeli në vendimin e tij.
VENDIMI I PLOTË NGA GJYKATA E APELIT