18.8 C
New York
Monday, November 18, 2024

Buy now

“Të marrë fund ky trend shqetësues”: BE-ja i qorton ashpër qeveritarët për sulmet ndaj Kushtetueses

- Advertisement -

Sulmet brutale ndaj institucionit më të lartë të interpretimit të rendit kushtetues dhe juridik të vendit – Gjykatës Kushtetuese – nga krerët shtetërorë të Qeverisë Kurti II “janë trend shqetësues”. Kështu është thënë nga Zyra e Bashkimit Evropian në një përgjigje me shkrim për Nacionalen.

Deklarimet prej të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të llojit “një nëntë gjykatës” të Gjykatës Kushtetuese “nuk mund të pengojë dikë që i ka marrë 400 mijë vota”, ato të zëvendësit të tij Besnik Bislimi, se gjyqtarët kushtetuese janë “jo kredibilë”, “jo kompetentë” dhe se vendimet e tyre “janë produkt i një mjedisi të korruptuar”; e deri te Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që ua faturon “pengimin e reformës së drejtësisë” saktësisht këtij institucioni – kanë shkaktuar një reagim goxha të ashpër të Bashkimit Evropian.

Ky trend shqetësues duhet të marrë fund.” – kështu mund të përmblidhet më së miri thirrja e zyrës së BE-së në deklaratën e tyre për gazetën Nacionale.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian kanë theksuar fillimisht që pavarësia e gjyqësorit, është gur themeli për çdo shoqëri demokratike:

“Gjykata Kushtetuese ka një rol themelor për të garantuar supremacinë e Kushtetutës dhe për të mbrojtur të drejtat dhe parimet themelore në të. Pavarësia e gjyqësorit është një gur themeli i shtetit të së drejtës dhe një kërkesë thelbësore për çdo shoqëri demokratike.”

Veç kësaj, BE-ja bëri thirrje që komentet e kritikat të jenë konstruktive e të balancuara, si dhe që të respektohen të gjitha vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese.

“Duke pranuar që Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga presioni politik, është gjithashtu e nevojshme të theksohet se gjyqësori nuk është imun ndaj shqyrtimit apo diskutimit të hapur. Megjithatë, për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që komentet dhe kritikat nga Qeveria të jenë konstruktive, të balancuara dhe të argumentuara mirë. Ajo që është e rëndësishme të theksohet këtu është se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe zbatohen plotësisht dhe kjo nuk duhet të vihet në dyshim. – thuhet në përgjigje.

Krejt në fund të deklaratës së dhënë për Nacionalen, zyra e BE-së ka një thirrje për qeveritarët, duke iu kërkuar që t’u japin fund këtyre deklaratave:

“BE-ja në Kosovë bën thirrje për t’i dhënë fund këtij trendi shqetësues ku anëtarët e qeverisë bëjnë deklarata që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit si dhe besimin e publikut në të”.

Çka na tha ShBA-ja?

Pyetur nga gazeta Nacionale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë komentuar konkretisht këto sulme – megjithatë – nga ambasada na ritheksuar mbështetjen për institucionet e pavarura gjyqësore.

“Ne ritheksojmë mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për institucionet e pavarura gjyqësore të Kosovës që ofrojnë drejtësi për të gjithë qytetarët.” – thuhej në një përgjigje të tyre.

Po ashtu, ShBA e potencoi qartë: Pavarësia e gjyqësorit është një gur themeli i demokracisë, dhe ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar institucionet e Kosovës për të promovuar dhe forcuar sundimin e ligjit”.

Vlen të theksohet se para një viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte dhënë një deklaratë, përmes së cilës kishte lënë të kuptojë se “nëntë gjykatës” nuk mund ta pengojnë një person me “400 mijë vota”.

Jo shumë ditë më parë, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi zgjodhi që Kushtetuesen ta sulmojë përmes disa fjalëve në një intervistë për mediumin serb “Radio Gorazdevc”.

Kjo Gjykatë, sipas Bislimit, nuk ka kompetenca e kredibilitet:

Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverze; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”.

Por zëvendëskryeministri nuk u ndal me kaq, ai vijoi dhe e quajti Gjykatën Kushtetuese një “mjedis i korruptuar”.

“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, kolegia e tij, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një prej institucioneve që po pengon “jo vetëm reformën në drejtësi, por edhe në fusha të tjera”.

“Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformës jo vetëm në drejtësi por edhe në fushat tjera. Këtë po e them sepse opozita po e konsideron si shpëtim në mënyrë që të mos jetësohen reformat, qoftë në drejtësi qoftë në aspektin ekonomik financiar dhe ato që kanë të bëjnë me administratën publike.” – ka thënë ajo para pak ditësh.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit