Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar heqjen e bllokut tarifor të energjisë elektrike për konsumatorët, duke theksuar se ky bllok ka sjellë rritje të çmimit.
“Duhet të hiqet bllok tarifa, kjo është e rëndësishme, hiqe bllok tarifën rrite çmimin e energjisë elektrike për 15 për qind. Bllok tarifa është ajo plaçka e madhe që i bëhet qytetarit të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e transparencës në shpenzimet e subvencioneve në sektorin e energjisë elektrike.
“Sa i përket komisioneve hetimore janë shumë të limituar në arritjen e informatave sepse ne e kemi parë edhe në rastin e rezervave shtetërore që na humbën komplet, ne nuk kemi arritur të sigurojmë dokumentet e nevojshme për t’i parë ne si komision sepse na i kanë fshehur”, ka deklaruar tutje ai.
Ai ka akuzuar institucionet për keqpërdorime dhe mungesë bashkëpunimi duke thënë se komisionet hetimore kanë vështirësi në sigurimin e dokumenteve të nevojshme për hetime.
Tahiri ka shprehur dyshime se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund të jetë përgjegjës për keqpërdorimet në sektorin e energjisë.
Megjithatë, ai ka insistuar se ka indikacione të keqpërdorimeve të mëdha dhe akuzon politikisht kryeministrin Kurti për këto probleme.
“Nuk mundesh me konkludu që Kurti e vjedh rrymën, sepse ai nuk e shet as nuk e blen. Unë besoj se ka keqpërdorime të mdhaja. Duke mos tregu shpenzimin e subvencioneve në energjinë elektrike, duke vendos njerëz që punojnë në ZRRE në linjë me të përcaktojnë çmimin e energjisë elektrike në linjë me të, pra duke mos na dhënë qasje në dokumente. Qytetarët paguajnë rrymë më shumë për shkak të keqpërdorimit të institucioneve tona, koka e këtyre keqpërdorimeve politikisht mund të them kryeministri Kurti”, ka deklaruar mes tjerash Tahiri.